Durrësi binjakëzohet me Selanikun
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka pritur në një takim kryetarin e Bashkisë së Selanikut, Yiannis Boutaris, me të cilin ka nënshkruar edhe një marrëveshje binjakëzimi midis dy qyteteve. Në bisedën e zhvilluar, të dy kryebashkiakët shprehën bindjen se kjo marrëveshje do të forcojë edhe më tepër miqësinë midis dy qyteteve, por edhe dy vendeve .
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, pasi i bëri një përmbledhje të shkurtër vlerave të shumta që përfaqëson qyteti i lashtë i Durrësit si dhe resurseve aktuale të tij, u shpreh se të dy qytetet do të bashkëpunojnë ngushtë në projekte madhore që do të jenë në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut, por edhe komunitetit të madh shqiptar që jeton në Selanik. Sipas kryebashkiakut Dako, kjo është një marrëveshje e rëndësishme që i hap rrugën realizimit të shumë projekteve të përbashkëta në fushat e turizmit, kulturës, transportit, ekonomisë dhe biznesit midis dy qyteteve Durrësit e Selanikut.
Nga ana e tij, kryebashkiaku i Selanikut, Yiannis Boutaris, deklaroi se të dy qytetet kanë shumë të përbashkëta siç është lashtësia e tyre, por edhe se janë dy nga qytetet më të mëdha të vendeve tona si dhe dy qytete që kanë porte të rëndësishëm. Boutaris u shpreh se dy qytetet tona i lidh rruga Egnatia, por edhe komuniteti prej 70 mijë shqiptarësh që jetojnë e që janë integruar plotësisht në Selanik. Sipas tij, projektet që do të realizohen midis dy qyteteve do të jenë në dobi të zhvillimit të tyre në disa fusha, por edhe në dobi të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut.
Ai i ka bërë edhe një ftesë zyrtare kryebashkiakut Dako për të vizituar Selanikun, ftesë që u pranua me kënaqësi nga kryebashkiaku i Durrësit. Po kështu, dy kryebashkiakët kanë shkëmbyer edhe dhuratat përkatëse, ku kryebashkiaku Dako i ka dhuruar kryebashkiakut të Selanikut një simbol që paraqet mozaikun Bukuroshja e Durrësit, ndërkohë që edhe kryebashkiaku Boutaris i ka dhuruar kryebashkiakut Dako një nga simbolet arkeologjike të qytetit të Selanikut. / Mark Brunga