E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurorja Ina Rama, takim me ambasdorin britanik

Kryeprokurorja Ina Rama ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon Obe, në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga ky institucion, takimi është zhvilluar në kuadër të vizitave të kortezisë të ambasadorit të Britanisë së Madhe në detyrën e tij në Tiranë dhe ka pasur karakter njohës me qëllimin e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit.

Prokurorja e Përgjithshme e ka njohur ambasadorin Obe me punën e Prokurorisë Shqiptare, duke e vënë theksin te angazhimi i këtij institucioni në  rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe shmangia e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e drejtësisë. Gjithashtu, kryeprokurorja Rama ka dhënë një panoramë të institucioneve të zbatimit të ligjit, mënyrës si funksionojnë dhe bashkërendojnë punën, si dhe u ndal në probleme të ndryshme të reformës në sistemin e drejtësisë.

Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon Obe, duke vlerësuar performancën e Prokurorisë Shqiptare në angazhimet e saj, siguroi kryeprokuroren Ina Rama për mbështetjen nga ana e Ambasadës në punën e saj dhe rikonfirmoi për vijimin e marrëdhënieve të ngushta e bashkëpunuese si me organet e akuzës në Britaninë e Madhe, ashtu edhe me stafin diplomatik britanik në Tiranë. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›