E Diel, 1 Nëntor 2026

Durresi braktis Ramen, le bosh sheshin

Deshton protesta e paralajmeruar e Opozites se Bashkuar. Rama: Do shembim regjimin e Berishes

Vetëm 24 orë përpara afatit kur shqiptarët presin me padurim ditën e liberalizimit të vizave dhe shembjen e mutit të hapësirës Shengen, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar, organizuan ditën e djeshme në qytetin e Durrësit protestën e radhës, e cila rezultoi një llof i vërtetë. Protesta e paralajmëruar në orën 17:00 tek sheshi para pallatit të kulturës “A. Moisiu”, kishte një numër të paktë mbështetësish, gjë e cila ndikoi në kohëzgjatjen e saj. Kryesocialisti Rama i shoqëruar nga Ngjela, Dule, Ndoka, Gjinushi dhe anëtarë të tjerë të “Opozitës së Bashkuar”, lëshoi, vetëm pak orë para ditës së lirisë Shengen për shqiptarët, një lumë akuzash ndaj qeverisë, Kryeministrit Berisha, duke u deklaruar të pranishmëve: “Është koha për përmbysjen e kësaj qeverie, ajo përmbyti Shkodrën dhe gjithë Veriun, ka ardhur koha të ngrihemi për të drejtën tonë, për të ardhur në pushtet PS-ja dhe aleatët e saj”. Kreu i opozitës u ndal në mënyrë të veçantë tek situata e përmbytjeve dhe vazhdoi me akuzat e tij të njëpasnjëshme ndaj Kryeministrit dhe qeverisë, si shkaktare kryesore të kësaj situate. Sipas Ramës, mazhoranca aktuale nuk ka vullnetin e duhur për të bërë transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare të 28 qershorit. “Përmbytja e Shkodrës ishte një dështim i radhës, kjo qeveri nuk mendon për popullin, por për oborrtarët e saj; kjo qeveri nuk kërkon të bëjë transparencën e zgjedhjeve dhe ngritjen e komisionit hetimor; shqiptarët po qeverisen sot nga një qeveri e cila ka vjedhur votat e popullit”, - u shpreh Rama. Edhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, vazhdoi me akuzat për mungesë transparence duke u shprehur se mazhoranca ka frikë nga ky akt. “Kjo mazhorancë ka frikë nga opozita, nga transparenca e zgjedhjeve, ndaj duhet të jemi të bashkuar për ta larguar atë”, - tha Ndoka. Ndërsa Dule dhe Ngjela,përsëritën të njëjtat fraza standarde të cilat duket se nuk po bëjnë shumë përshtypje tek shqiptarët. Duke kërkuar largimin e kësaj qeverie dhe marrjen e pushtetit, ata u kujtuan të pranishmëve, shumica e të cilëve përbëhej nga zyrtarët e bashkisë dhe rajoneve e komunave: “Do ta detyrojmë ne Berishën dhe qeverinë e tij të largohet me furinë e protestave tona”. Në mbyllje të kësaj proteste, kryesocialisti Rama bëri thirrje për mbështetje të saj, pasi vetëm në këtë mënyrë nënvizoi ai, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. “Ftoj të gjithë shqiptarët t’i bashkohen protestës tonë, në rrugën drejt BE-së”, - tha Rama. Por kjo deklaratë e kreut të socialistëve duket disi kontradiktore, pasi vetë akti i protestave dhe i rikthimit në rrugë të opozitës, krijojnë një situatë aspak të favorshme për rrugën e Shqipërisë në BE. Kështu, protesta e djeshme e opozitës në qytetin e Durrësit nuk pati një mbështetje reale nga njerëzit dhe ndoshta arriti deri në dështim. Pritet që në ditët e ardhshme opozita të vazhdojë përsëri me protestat sipas kalendarit të parashikuar, duke dhënë kështu sinjale aspak pozitive për kompromis në lidhje me zgjidhjen e ngërçit politik, i cili ka më shumë se një vit e gjysmë që vazhdon. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›