E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Specialët larg zgjedhjeve

 

BLEDAR HOTI

KQZ përcakton rregullat dhe rastet e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit dhe të ushtrisë në ditën e votimit më 28 qershor. Në udhëzimin e hartuar asnjë person i armatosur, duke përfshirë edhe forcat e policisë dhe ushtarakët, nuk do të lejohet të qëndrojë apo të hyjë në ambientet zgjedhore. Udhëzimi i hartuar nga KQZ-ja parashikon detyrat që do të kenë uniformat blu në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë më 28 qershor në komisionet zonale, në qendrat e votimit dhe në vendet e numërimit të votave. Punonjësit e forcave të policisë që ngarkohen me detyra gjatë zgjedhjeve, me përjashtim të atyre që merren me ruajtjen e objekteve zgjedhore, në 24 orët para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve, qëndrojnë brenda komisariateve ose në vende dislokimi larg qendrave të banuara. Në udhëzimin e hartuar përcaktohet qartë se  ndalohet përdorimi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcave Speciale, në ruajtjen e objekteve zgjedhore. Gjithashtu udhëzimi në pikat 2 dhe 3 thotë se “ndalohet përdorimi i forcave komando dhe forcave të tjera të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, kur këto forca nevojiten për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë ose në zëvendësim  të punonjësve të Policisë së Objekteve. Kopje e urdhrit me shkrim i dërgohet menjëherë KQZ-së”. Në ditën e zgjedhjeve ndalohet përdorimi i forcave komando dhe i forcave të tjera të ushtrisë për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet. Në të njëjtën kohë theksohet se “ndalohet gjatë gjithë periudhës zgjedhore, kryerja e ushtrimeve ose manovrave ushtarake jashtë reparteve ose vendeve të dislokimit nga forcat e ushtrisë”. “Ndalohet përdorimi apo pjesëmarrja e punonjësve ose strukturave të SHISH, në ngjarjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet apo në veprime, që mund të ndikojnë në vullnetin e zgjedhësve”, thuhet në udhëzim. Dhjetë ditë përpara votimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet depozitojë në KQZ listën e plotë të punonjësve të ngarkuar me detyra gjatë zgjedhjeve. Ai është i detyruar të informojë menjëherë KQZ-në për çdo ndryshim në listë. Selia e KZAZ-së ruhet nga punonjësit e Policisë së Shtetit, nga momenti kur në të mbërrijnë materialet e votimit deri në datën e zgjedhjeve. Ruajtja do të bëhet  prej orës 20.00 deri në orën 8.00 të ditës së nesërme. Policia organizon ruajtjen e QV-ve gjatë natës para ditës së votimit, duke filluar nga momenti kur në KQV mbërrijnë materialet zgjedhore deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit.
Ndërhyrja e policisë
Në këtë udhëzim janë parashikuar edhe kur kërkohet ndërhyrja e policisë. Një veprim i tillë ndërmerret vetëm në rastet kur KZAZ-ja konstaton se në ambientin e VNV-së janë të pranishëm dhe persona të tjerë, përveç atyre të parashikuar në paragrafin e parë të nenit 121, të Kodit Zgjedhor u kërkon atyre që të largohen. Në rast refuzimi, merr vendim për njoftimin e punonjësit të Policisë së Shtetit dhe mban shënim në librin e protokollit. Kur në Vendin e Numërimit të Votave rrezikohet rendi, KZAZ-ja me vendim thërret organet e Policisë së Shtetit. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit i paraqitet me shkrim organeve të Policisë së Shtetit dhe përmban përshkrimin e shkurtër të shkaqeve dhe të rrethanave. Kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja me vendim thërret organet e Policisë. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit, i paraqitet me shkrim organeve të Policisë dhe përmban përshkrimin e shkurtër të shkaqeve dhe rrethanave. Për këtë incident duhet të njoftohet edhe KZAZ-ja.

Institucionet

Ndalohet përdorimi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Forcave Speciale, në ruajtjen e objekteve zgjedhore.

Ndalohet përdorimi i Forcave të Policisë së Shtetit dhe atyre të ushtrisë, në veprime që mund të cenojnë vullnetin e shtetasve.

Ndalohet përdorimi i forcave komando dhe forcave të tjera të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore

Ndalohet përdorimi i forcave komando dhe i forcave të tjera të ushtrisë për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet

Ndalohet gjatë gjithë periudhës zgjedhore, kryerja e ushtrimeve ose manovrave ushtarake jashtë reparteve ose vendeve të dislokimit nga forcat e ushtrisë.

Ndalohet përdorimi apo pjesëmarrja e punonjësve ose strukturave të SHISH, në ngjarjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet apo në veprime, që mund të ndikojnë në vullnetin e zgjedhësve.

Policia organizon ruajtjen e ambientit të Vendit të Numërimit të Votave prej orës 18 00 të ditës së zgjedhjeve deri në momentin e shpalljes së rezultatit nga KZAZ-ja.

Punonjësi i Policisë së Shtetit qëndron jashtë ambienteve te Vendit të Numërimit të Votave, sipas caktimit të bërë nga KZAZ-ja.

Kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja me vendim thërret organet e Policisë së Shtetit.

Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit, i paraqitet me shkrim organeve të Policisë së Shtetit dhe përmban përshkrimin e shkurtër të shkaqeve dhe rrethanave.

Me marrjen e vendimit, Kryetari, zëvendëskryetari ose çdo anëtar i KQV-së thërret menjëherë Policinë dhe njofton KZAZ-në për incidentin e ndodhur.

Policët vetëm me pistoletë
Punonjësit e forcave të Policisë së Shtetit, të ngarkuar me detyra gjatë zgjedhjeve, mbajnë vetëm armatim personal brezi, pistoletë. Punonjësit e forcave të policisë janë të detyruar që, përveç armatimit personal të brezit, të mbajnë dhe automatik në rastet kur ngarkohen me ruajtjen e objekteve zgjedhore gjatë natës dhe gjatë shoqërimit të kutive të votimit nga KQV në VNV, me përjashtim të rastit kur janë ngarkuar të ruajnë godinën ku është caktuar VNV-ja. Qarkullimi i forcave të policisë, të ngarkuara me detyra zgjedhore, bëhet vetëm me mjete policie dhe vetëm në rast se kërkohet ndërhyrja e tyre respektivisht nga KQZ-ja, KZAZ-ja ose nga KQV-ja. Mjetet e përdorura prej policisë, me targa civile
duhet të kenë shenja dalluese, që tregojnë se ato janë të ngarkuar me detyra në funksion të zgjedhjeve.

Transportimi i kutisë së votimit
Me mbylljen e votimit, kryetari i KQV-së njofton komisariatin e policisë dhe KZAZ-në duke i kërkuar të dërgojë në KQV punonjësin e policisë, që do të shoqërojë kutitë e votimit dhe kutinë e materialeve zgjedhore. Punonjësi i policisë do të shoqërojë dorëzimin e kutisë së votimit në KZAZ, por nuk do të ketë të drejtën të prekë kutinë e votimit. Ai duhet të garantojë mosprekjen e kutisë së votimit. Shoqërimi i kutive t¸ votimit dhe i kutisë së materialeve zgjedhore nga KQV-ja në VNV bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtar¸t e KQV-së, sekretari i KQV-s¸ dhe një punonjës i Policisë së Shtetit. Pas procesit të dorëzimit të materialeve zgjedhore, punonjësi i policisë firmos procesverbalin e marrjes në dorëzim, sipas modelit të miratuar nga KQZ-ja, merr një kopje të procesverbalit dhe largohet menjëherë nga ndërtesa e KZAZ-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›