E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Jemi kategorikisht kundër ndarjes së shtetit

Parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës kanë bërë gati një rezolutë të përbashkët, ku kundërshtojnë planin 6-pikësh të paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë. Ky qëndrim është koordinuar dje në Komisionin e Jashtëm të drejtuar nga Preç Zogaj, pas vizitës së bërë nga një delegacion iKomisionit të Jashtëm të Parlamentit të Kosovës, të kryesuar nga Sabri Hamiti. Të dy delegacionet kanë kundërshtuar raportin e OKB-së. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Kosovës, Sabri Hamiti, ka deklaruar para mediave, se tendenca për ndarjen e Kosovës mund të konsiderohet një aventurë e dështuar, që mund të ndikojë në destabilizimin e rajonit. "Tendenca që të ndahet Kosova do të jetë e dështuar. Ai që merr aventurën për të ndarë në pjesë Kosovën duhet të marrë parasysh edhe destabilitetin e të gjithë rajonit, sepse atëherë bëhet precedent. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit shqiptar, Preç Zogaj. Duke e vënë theksin te bashkëpunimi mes dy vendeve, si dhe atë të faktorit ndërkombëtar në këtë moment kyç për shqiptarët e Kosovës, Zogaj tha se "edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë qenë shumë bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar dhe shumë luajalë, kjo njihet nga të gjithë dhe do të vazhdojnë në këtë rrugë. Komisioni ynë, institucionet tona dhe ata të Kosovës janë shumë të lumtur që kanë miq dhe partnerë në Perëndim, por zgjidhjet që vijnë nga pallatet prej xhami, që priren të korrigjojnë ato zgjidhje që kanë buruar nga sakrifica të mëdha, nuk kanë perspektivë".

Reagimi i Topallit

Tirana zyrtare duket se është e unifikuar në qëndrimin e saj në lidhje me 6 pikat e propozuara nga Ban Ki Mun, i cili ka një tendencë për ndarjen e Kosovës. Duke u shprehur kategorik kundër, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit me delegacionin parlamentar të Kosovës, ka theksuar se "asnjë plan 6-pikësh s‘mund ta prekë integritetin territorial, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës". Topalli ka theksuar se Shqipëria e mbështet shtrirjen e menjëhershme të misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës për të përmbushur përgjegjësitë e tij në fushën e sigurisë, drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Më tej, Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se "për ne, plani 6-pikësh i Ban Ki Mun, përbën një rrezik serioz jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. Ne i përkrahim të gjithë hapat që autoritetet e Kosovës ndërmarrin bazuar në Kushtetutë dhe në planin Ahtisari". Ndërsa kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, e ka vlerësuar si thelbësore mbështetjen që Shqipëria dhe autoritetet zyrtare të saj po i japin lidershipit dhe popullit të Kosovës, mbështetje, që siç u shpreh ai, "e kemi ndjerë gjatë gjithë zhvillimeve historike dhe të vështira të Kosovës. Ne falënderojmë Shqipërinë, Parlamentin shqiptar dhe ju veçanërisht, zonja Kryetare për gjithë përkrahjen që i keni dhënë e po i jepni popullit të Kosovës në konsolidimin e shtetit të ri". Hamiti ka theksuar se partitë politike në Kosovë dhe i gjithë opinioni publik, janë në një zë kundër planit 6-pikësh si një hap prapa për paqen dhe stabilitetin e Kosovës, por edhe gjithë rajonit në përpjekjet për integrimin evropian. Gjithashtu Topalli dhe Hamiti kanë deklaruar se faktori shqiptar, si një faktor shumë i rëndësishëm në rajon, po dëshmon e do të vijojë të dëshmojë gjithnjë e më shumë mendësinë e tij perëndimore dhe kontributin për paqen e stabilitetin afatgjatë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›