E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një ide të re ekonomike për Shqipërinë

Rudina Seseri 

Ka më shumë se një arsye për të bërë një refleksion  tërësor mbi ekonominë shqiptare sot: j emi në bregun e afro dy dekadave tranzicion; jemi në kulmin e një krize ekonomike botërore; jemi në kushtet kur do duhet t’i ofrojmë vendit një alternativë për dekadën e tretë të demokracisë. Ndaj sot kemi një nevojë për atë idenë e re, atë idenë e thjeshtë, atë parimin e madh mbi të cilin të ndërtojmë modelin e ri të zhvillimit të Shqipërisë, të sendërtojmë idenë e re ekonomike për Shqipërinë.
Në vend të rritjes ekonomike, rritjes së thjeshtë, rritjes së natyrshme, rritjes së paqëndrueshme dhe shteruese, kemi sot nevojë për një model të ri zhvillimi, kemi nevojë për “zhvillimin e qëndrueshëm”. Jo thjesht sepse “rritja ekonomike” e deritashme, nuk është asesi e qëndrueshme, por edhe sepse ky model po shteron. Mjaft të përmendim faktin e thjeshtë që në këtë moment rritja ekonomike është praktikisht 0%. 

Pse modeli i deritashëm ka shteruar
Pavarësisht nga orientimi politik i qeverisjeve, gjate dekadës së fundit ekonomia shqiptare është karakterizuar nga një rritje e ekonomisë në nivelin 6%. Ndonëse ky fenomen është qartazi më pozitiv se një tkurrje e saj, kjo rritje ekonomike në Shqipëri nuk u përkthye kurrë në një zhvillim të mirëfilltë ekonomik.  Ekonomia shqiptare e 10 viteve të fundit nuk e ka kaluar asnjëherë cakun e nevojshëm për të kapur zhvillimin, industritë dhe sektorët e ndryshëm të saj kanë ngelur në nivele të viteve 1990, ndërkohë që papunësia dhe varfëria vazhdojnë të sundojnë vendin si të ishin sëmundje kronike të pashërueshme.
Po me çfarë mbahet Shqipëria deri sot? Një analizë e thjeshtë e Prodhimit Kombëtar Bruto tregon se mbi 40% e ekonomisë shqiptare mbahet nga sektori i shërbimeve, tek i cili mallrat e importuara të shumicës zënë vendin më të madh. Problemi që lind nga një mbështetje kaq e madhe të ekonomisë mbi importet është i dyfishtë. Ai jo vetëm e mban ekonominë shqiptare nën varësinë e çmimeve dhe lëkundjeve të mallrave të huaja, kryesisht Italisë dhe Greqisë, por është edhe një sektor me aftësi të limituara për punësimin lokal. Në sektorin e prodhimit spikat industria e “fasonëve”, e cila në realitet punëson një numër të madh shqiptarësh, por që sot ndodhet në një krizë pas uljes së kërkesës nga firmat e huaja porositëse. Ndërkohë që industria e ndërtimit, e cila dikur ka qenë një nga shtyllat e rritjes së ekonomisë shqiptare, ka rënë jo vetëm si përqindje e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, por edhe në terma absolute. Kriza e biznesit të ndërtimit është rënduar edhe më tej, si pasojë e ngrirjes së likuiditetit. Kjo e ka limitizuar aftësinë e tyre për sipërmarrje si edhe pothuajse ka eliminuar kërkesën, në mungesë të kredive për individët.
Dy shtylla të tjera të rritjes sonë të deritashme ekonomike kanë qenë të ardhurat nga emigracioni ose siç njihen ndryshe “remitancat” dhe shfrytëzimi i pasurive natyrore bruto. Edhe këto dy akse janë në limitet e tyre. Emigracioni shqiptar po sjell gjithnjë e më pak para në Shqipëri, për shkak se ai po hyn në dekadën e tretë jashtë vendit, është akomoduar atje dhe mbi të gjitha po vuan nga një treg pune në krizë dhe për pasojë më pak të ardhura mbesin në fund të muajit për t’ia dërguar babait në Shqipëri. 
Shfrytëzimi barbar i pasurisë natyrore të Shqipërisë këto 20 vitet e fundit, pyje, lumenj, toka, ujëra etj, jo thjesht e kanë përfunduar kontributin e tyre në rritjen ekonomike, por ato vetë tanimë kanë nevojë për rehabilitimin ose për t’i kthyer në gjendjen e mëparshme, kanë nevojë për investime për t’i ruajtur për të ardhmen e shqiptarëve që banojnë këtë vend. Bujqësia është e keqpërdorura e madhe e modelit të deritashëm. Edhe pse jep 22 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, bujqësia është harruar në buxhet, duke marrë prej tij më pak se 1 për qind të tij.
E gjithë kjo ka sjellë një përfundim fatalisht të keq: jo vetëm rritja është ndalur tashmë, jo vetëm ajo nuk ka ç’na jep më sipas këtij modeli por ka shkaktuar një shpërndarje shumë të keqe dhe pabarabartë të pasurisë kombëtare, e cila ka si pasojë varfërinë e gjerë dhe të frikshme të më shumë se gjysmës së shqiptarëve.

Parimet e një modeli të ri, ideja e re ekonomike
Të gjitha termat e këtij modeli aktual duhet të ndryshojnë në favor të një modeli tjetër: zhvillim i qëndrueshëm në vend të rritjes.
Kthimi te bujqësia që është një sektor me një potencial të jashtëzakonshëm konkurrues, jo thjesht për tregun lokal por dhe ato huaj. Edhe pse i harruar nga qeverisjet dhe buxhetet, ajo vijon të kontribuojë me afro 1/ 4 e në prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Një sektor bujqësie i zhvilluar i krijon mundësi edhe zhvillimit sektorit të agro-përpunimit, duke krijuar për sipërmarrësit alternativa të reja investimi, që krijojnë “zinxhir prodhimi”, nga përpunimi i produkteve bujqësore e deri tek industria e paketimit. Qëllimi është rritja e produktivitetit të sektorit të prodhimit në Shqipëri, e arritur kjo përmes politikash fiskale, doganore, inkurajimit të teknologjive të reja dhe të tjera masa, të gjitha në funksion të një qëllimi madhor zhvillimi i “sektorit të prodhimit “made in albania’.     
Industria e turizmit në Shqipëri është e përqendruar vetëm në turizmin e plazhit, ku 40% e të gjithë vizitorëve vijnë gjatë muajve korrik dhe gusht. Për më tepër, 60% e të gjithë turistëve janë shqiptarë etnikë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Kjo dëshmon jo thjesht punën e dobët që është bërë në zhvillimin dhe pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion turistik në tregjet ndërkombëtare, por edhe konceptin e limituar të turizmit vetëm tek ai “i rërës dhe detit”, duke përjashtuar turizmin arkeologjik, kulturor etj. Transformimi i turizmit në një sektor që funksionon gjatë gjithë vitit, zgjerimi dhe marketimi i të gjitha formave të turizmit dhe investimet e mirëfillta do ta transformojnë këtë sektor në një avantazh konkurrues të Shqipërisë në rajon.
Kushtet e nevojshme: infrastrukturë e integruar dhe inovacion: Në thelb të tij zhvillimi ekonomik i Shqipërisë kërkon jo thjesht zhvillimet minimale të infrastrukturës, por zhvillimin e një infrastrukture të mirëfilltë dhe të integruar që mundëson tregtinë lokale dhe rajonale, si edhe lëvizjet turistike në të gjithë vendin. Për më tepër, Shqipërisë i nevojiten politika makroekonomike dhe fiskale që adresojnë si problemet e krizës nëpërmjet një pakete shpëtimi për bizneset dhe individët dhe ato që motivojnë investimet në teknologji dhe sipërmarrje të reja dhe bashkëkohore. Emëruesi i përbashkët për zhvillimin e Shqipërisë në sektorë të ndryshëm të saj është adoptimi i teknologjive të reja, trajnimit në to dhe, eventualisht, transformimi i Shqipërisë në një vend ku ka inovacion të mirëfilltë.

*Anëtare e grupit të punës për programin e PS. Kandidate e Partisë Socialiste në Durrës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›