Rrugët e qytetit, me gropa dhe pas investimeve
ELBASAN - Nuk është e thënë që qytetarët e Elbasanit dhe kryesisht banorët e qendrës të shkelin mbi rrugë të asfaltuara. Kjo pasi në shumë rrugë dytësore ku janë kryer investimet gjatë vitit të fundit asfalti është dëmtuar jo për fajin e punimeve apo cilësisë, por për shkak të investimeve të vonuara që ka bërë ndërmarrja e OSSH-së në Elbasan për shtrirjen e kabllove 20 kw. Për këtë problem, as Bashkia e Elbasanit e as OSSH nuk mbajnë përgjegjësi. Bashkia nga ana e saj pohon se rrugët në të cilat paraqiten probleme janë ato ku rikonstruksioni ka përfunduar dhe pas tij, ndërmarrja e KESH ka ndërhyrë duke shtruar kabllot. Por, sipas bashkisë kjo ndërmarrje duhet që pas investimit të kthejë rrugët në gjendjen e mëparshme. Në fakt, një gjë e tillë është realizuar falë dhe presionit që ka ushtruar bashkia, por në pjesën më të madhe të akseve dytësore, të cilat kalojnë nëpër lagjet e qendrës së Elbasanit, rruga ka rrëshqitur duke krijuar sërish gropa, pellgje uji dhe mjaft probleme për qarkullimin e automjeteve. Të njëjtin problem Bashkia e Elbasanit e ka pasur dhe me ndërmarrjen e kthyer tashmë në shtetërore, "Elber", që furnizon me ujë të pijshëm qytetin. Ajo ka vepruar në segmente të ndryshme, si në rrugën para spitalit kirurgjik, ku megjithëse është munduar të kryhen riparime ka probleme. Një tjetër segment problematik është ai në afërsi të xhamisë dhe postës, ku pas ndërhyrjes së OSSH-së gjendja është e rënduar. Duket se as bashkia nuk ka ushtruar të gjitha kompetencat ligjore mbi këto subjekte apo ndërmarrje, të cilat me lejen e saj kanë kryer investimet, por pa e zbatuar deri në fund kontratën. a.k