E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna që buron nga degradimi i një pushteti

Blendi Kajsiu 

Imazhet e dhunës së ushtruar mbi një zonjë të verbër nga një i ashtuquajtur ’biznesmen’ janë tronditëse për çdo individ, që ende shpreson për një Shqipëri ku çdokush mund të jetojë me dinjitet. Të trondit lehtësia me të cilën një ’burrë’ dhunon një të moshuar në prezencën e gardës dhe të Policisë së Shtetit. Të tmerron fakti që pasi ka ushtruar dhunë, dhunuesi largohet nga skena shend e verë, ndoshta edhe krejt i pandërgjegjshëm për aktin e shëmtuar që sapo ka bërë. Deri diku kemi të bëjmë me një episod që zbulon një fenomen më të gjerë të shoqërisë sonë; atë të dhunës që ndonëse herë pas here mund të shfaqet brutalisht para kamerave në shumicën e kohës ushtrohet dendur në hapësirën private, sidomos prej burrave ndaj grave. Pothuaj çdo ditë jemi dëshmitarë të konflikteve mes individëve që në fund ’zgjidhen’ me dhunë. Edhe në rastin konkret konfliktin e vet me një grua të verbër ’zotëria’ në fjalë e zgjidhi shpejt e shpejt, duke goditur një zonjë të moshuar dhe të verbër. Kështu individi në fjalë është simptomë e një fenomeni sa të gjerë aq edhe të shëmtuar në shoqërinë tonë, atë të dhunës. Dhe ky është dimensioni kulturor i incidentit.
    Ama ajo që të revolton edhe më shumë sesa dimensioni kulturor është dimensioni politik i ngjarjes, është reagimi i pushtetit ndaj saj. Kuptohet nuk është faji i pushtetit aktual që në Shqipëri ekziston një kulturë e përhapur dhune. Nuk është faji i qeverisë që në Shqipëri ka plot burra që nuk e kanë për turp të godasin gratë edhe në publik. Por është një faj i patolerueshëm i pushtetit kur në vend që ta dënojë një akt të tillë pa rezerva e justifikon atë duke u përpjekur ta injorojë apo ta largojë nga vetja. Kështu në vend që të shqetësohet dhe të dënojë aktin qeveria ka hall kryesor t’i thotë publikut se dhunuesi nuk është pjesë e gardës, edhe pse garda bashkë me policinë bënin qartësisht sehir, teksa ai ushtronte dhunë. Në vend që t’i kërkojë policisë të mos tolerojë askënd që ushtron dhunë ndaj qytetarëve, qoftë ky edhe mik i tyre, qeveria dhe policia e kanë hallin të denoncojnë mediat që e bënë publike aktin e dhunës. A thua se akti nuk ndodhi aspak, a thua se ai ishte një trillim mediatik. Në vend që t’i qetësojë dhe garantojë qytetarët se akte të tilla nuk do përsëriten dhe tolerohen në të ardhmen, qeveria na thotë se ndaj dhunuesit nuk mund të ndërmerret as edhe një masë ndëshkuese.  
Ajo që të habit është fakti se reagimi i qeverisë në rastin e dhunës ndaj të verbërve përsërit pikë për pikë logjikën e reagimit në rastin e Gërdecit. Vini re se deklarata e qeverisë se dhunuesi nuk ishte pjesë e strukturave të shtetit, por një person privat që mban përgjegjësi private  është e njëjtë me deklaratën se firma e demontimit në Gërdec nuk kish të bënte aspak me strukturat shtetërore por ishte një entitet privat. Në të dyja rastet përpjekja është për të larë duart nga përgjegjësia, duke ia deleguar atë një entitet privat gjoja pa lidhje me strukturat shtetërore. Pas kësaj deklarate qeveria vijoi duke injoruar tërësisht detyrimin e saj për të mbrojtur qytetarët edhe nga dhunues privat, detyrim kushtetues dhe ligjor i strukturave shtetërore si policia. Sipas të njëjtës logjikë në rastin e Gërdecit qeveria injoroi përgjegjësitë e saj për të mbrojtur qytetarët edhe ndaj firmave private të demontimit. Së fundi, kur media tregoi lidhjen e zyrtarëve shtetëror me dhunuesin ’privat’ qeveria filloi sulmin ndaj operatorëve mediatik a thua se ngjarja ishte thjesht një trillim i medias dhe i opozitës. 
Me pak fjalë në të dyja rastet reagimi i pushtetit përcaktohet nga ajo që mund ta quajmë sindroma e Gërdecit. E thënë ndryshe kemi të bëjmë me një reagim të një pushteti që përfundimisht është tejet i zënë me mbrojtjen e vetvetes dhe për pasojë aspak i aftë të mbrojë qytetarët. Për pasojë këta të fundit kthehen në viktima të tij. Dhe kur qytetarët kthehen në viktima të pushtetit që duhet ti mbrojë atëherë kemi të bëjmë me degradimin e pushtetit. Prioriteti i një pushteti të degraduar nuk është mbrojtja e qytetarëve por mbrojtja e vetvetes. Edhe në rastin konkret “trimëria” për të dhunuar një qytetare në publik, madje mu para institucionit përgjegjës për mbrojtjen e qytetarëve, buron nga dedikimi i dhunuesit ndaj pushtetit aktual. Një dedikim i tillë nuk të fut vetëm në listën e deputetëve por të mbron edhe nga drejtësia kur dhunon apo hedh në erë njerëz të pafajshëm, të ofron edhe imunitetin e duhur për të rrahur këdo që bezdis pushtetin mu përpara zyrave të pushtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›