Mbeturinat digjen në Osum, alarm për banorët
BERAT - Djegia e mbetjeve urbane rrezikon shëndetin e banorëve të Beratit dhe ndot lumin e Osumit. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Ajet Veleshja, shprehet se smogu i krijuar nga djegia e mbeturinave ka ndotur tërësisht ambientin. Mungesa e një projekti për grumbullimin e veçuar, riciklimit dhe depozitimit të mbetjeve urbane dhe djegia e tyre përbën një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve, jo vetëm të zonës përreth vendgrumbullimit në fshatin Orizaj, të komunës Otllak, por edhe për banorët e qytetit të Beratit. Rreth 22 mijë tonë mbetje urbane në vit, pasi grumbullohen çdo ditë nga bashkia përfundojnë buzë lumit Osum. Këto mbetje depozitohen prej më shumë se 25 vjetësh në një shesh që ndodhet shumë afër qytetit të Beratit. Inspektori i Mjedisit në bashki, Gëzim Kalluci thotë se sheshi i depozitimit të mbetjeve urbane është i papërshtatshëm dhe pozicioni i tij përgjatë Osumit dëmton ekosistemin si rezultat i depërtimit të lëndëve toksike në ujë. Mësohet se bashkia ka kërkuar nga qeveria ndërtimin e një landfilli, pasi vlera e tij prej 100 milionë lekësh është e papërballueshme prej saj. d.xh