E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi i jep 5 socialistë parlamentit

 

DURRES - Durrësi blu korr një fitore si ajo e Pirros, ku humbjet janë të mëdha. Demokratët i kanë lëshuar socialistëve plot 5 deputetë, por duke arritur të fitojnë për veten e tyre shtatë të tilla. Përfituesi i fundit i deputetëve blu është kryedemokrati i qytetit Igli Cara, ndërsa nga selia rozë kardiologia Klodiana Spahiu merr “trenin” e fundit që të çon në parlament. Por fituesi i madh i këtyre zgjedhjeve është edhe ish-kryebashkiaku Lefter Koka. Njeriu i cili kandidoi nën siglën e LSI-së arriti të dalë deputet me vota të bollshme, por sidoqoftë të pamjaftueshme për të tërhequr pas vetes edhe numrin dy të listës së LSI-së Artur Zhejin. Demokratët gjithsesi e festuan këtë fitore si “ajo e Pirros”, duke kujtuar me nostalgji të madhe zgjedhjet e vitit 2005, ku në rang Qarku i morën të majtës të 10-të deputetët e mundshëm”. Por formula e aplikuar nuk e lejonte kurrsesi një fitore kaq të thellë si ajo e tre korrikut të katër viteve më parë. Pas 40 orëve maratonë zgjedhore, në Qark demokratët kanë fituar bindshëm si bashki, si komuna dhe si fshatra. Lodhja e komisionerëve dhe kërkesat e të dyja palëve për shplodhje e kanë vonuar disi rezultatin, por gjithsesi ai është siguruar në mënyrë matematike rreth orës 21:30 minuta. Përjashtim nga “trendi” bën Kruja, qytet në të cilën e majta ka rezultuar “kockë e fortë”. Në KZAZ-në e pallatit të sportit “Ramazan Njala”, ku numëroheshin votat e bashkisë së Durrësit Aleanca e ndryshimit e kryesuar nga PD ka arritur të marrë 2895 vota më shumë sesa Bashkimi për Ndryshim i udhëhequr nga Edi Rama. Fitorja e PD ka qenë e fortë edhe në përballjen direkte me socialistët, pasi në fund të numërimit të 62 000 votave demokratët kishin 1 151 vota më shumë sesa rivalët e tyre të drejtpërdrejtë.

qarku durres

Aleanca e Ndryshimit

PD    60401 vota
PR    2812 vota
PAA    465 vota   
PDI    1965 vota    PAD    321 vota   
BLD    290 vota
PLL    668 vota
AMIE    25 vota   
PADS    93 vota
PBK    371 vota

Bashkimi per Ndryshim

PS    49252 vota
PSD    1117 vota
PDS    601 vota   
PBDNJ     305 vota    G99    763 vota

Aleanca Soc. për Integrim

LSI 9655 vota
PSV 579 vota

Numri i zgjedhësve që kanë votuar 139.189

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›