Uznova lë pezull rezultatin, PS vetëm 1 deputet më shumë
BERAT/ DILAVER XHELILI
Zona zgjedhore e Uznovës la mbrëmë pezull rezultatin final për numrin e deputetëve të qarkut të Beratit. Komisionerët u përfshinë në debate të ashpra gjatë gjithë orëve të pasdites për numërimin e një kutie, për të cilën u konstatuan parregullsi përsa i përket vulës së KQZ-së në fletët e votimit. Deri më tani në qarkun e Beratit, Partia Socialiste ka marrë 4 deputetë, Partia Demokratike 3 deputetë dhe LSI-ja 1 deputet. Ndryshe nga sa pritej, G99 nuk arriti të ketë numrin e duhur të votave për të marrë në këtë qark një mandat. Gjer në mesnatë, rezultatet e shprehura në përqindje ishin: PS-ja me 47.96 %, PD-ja 26.67 për qind, ndërsa LSI-ja me 10.85 për qind të votave. Por rezultati final pritet të dalë, pasi kutia e fundit të numërohet në Tiranë. Pas shumë orësh negociata e debatesh ndërmjet komisionerë, nuk u arrit që kjo kuti të hapej në Berat. Në fakt, ishin të parët 3 komisionerët e PD-së që nuk pranuan të hapej kutia për shkak të parregullsive në të. Por kur ata vendosën bashkë me 3 komisionerët e tjerë të PS-së që të hapej dhe numëroheshin votat, kundër doli komisioneri i shtatë dhe i fundit, ai i PSD-së. Ndonëse kjo parti është koalicion me PS-në, komisioneri i saj për motive ende të paqarta këmbënguli, që kutia t’i dërgohej për verifikimet përkatëse KQZ-së. Pas shumë orësh debate, mbrëmë rreth orës 24:00, kur nuk u arrit konsensusi, u vendos që kutia me 600 fletë votimi të hapej paraditen e sotme. Qarku i Beratit ka qenë gjithnjë bastion i së majtës. Partia Socialiste ka gjetur një mbështetje të madhe si në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare, por gjithsesi, nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve, PS-ja arriti të marrë vetëm një deputet më shumë se PD-ja. Në zgjedhjet lokale, e majta në këtë qark ka fituar nga 18 komuna dhe 4 bashki, 16 komuna dhe 3 bashki gjithsej. Edhe në Skrapar dhe Poliçan PS-ja ka marrë shumicën e votave. Ndërsa PR-ja nuk mundi të marrë një mandat në Berat. Këto vota favorizuan kandidatin Lefter Maliqi, i cili menjëherë pas konfirmimit të tij dje si deputet ka nisur festimet në qytet. Votat në favor të tij nxorën jashtë listës fituese kandidatin e pestë të PS-së, Eduart Bejko. Nga rezultatet e deritanishme, të cilat ka pak gjasa të ndryshojnë me numërimin e kutisë së fundit, janë konfirmuar për 8 mandatet e këtij qarku si deputetët e ardhëm të parlamentit shqiptar: Për PS-në, Erion Braçe, Fidel Ylli, Ermonela Velaj dhe Marko Bello. Ndërsa deputetët e Partisë Demokratike janë, Genc Pollo, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi. Deputeti i LSI-së do të jetë Nasip Naço. Në rezultatin e paraqitur në këtë qark kanë fituar mandate djemtë e këtij qarku për të përfaqësuar këtë komunitet. Ndryshe nga herët e tjera, Berati në këto zgjedhje është karakterizuar për qetësi dhe maturi. Asnjë incident i rëndë nuk është shënuar gjatë gjithë procesit të votimit apo edhe të numërimit. Këtu përjashtohet vetëm kërcënimi me jetë i njërit prej kryetarëve të komisionit, (PD), si dhe kërcënimi në Urën Vajgurore i deputetit të PS-së, Erjon Braçe. Sot pritet që KQZ-ja të vendosë për kutinë e fundit të zonës së Uznovës dhe të dalë rezultati zyrtar për 8 mandatet e këtij qarku.
qarku berat
Aleanca e dryshimit
PD 21720 vota
PR 4163 vota
PAA 99 vota
PDI 92 vota
PAD 162 vota
BLD 239 vota
PLL 77 vota
AMIE 15 vota
PADS 122 vota
PBK 89 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 39147 vota
PSD 904 vota
PDS 802 vota PBDNJ 124 vota G99 3294 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 8802 vota
PSV 281 vota