E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, PS dhe PD baras me numër deputetësh

 

KORÇE - Qarku i Korçës e ndau në gjysmë mandatin prej 12 deputetësh ndërmjet dy forcave më të mëdha politike, asaj të PD-së dhe PS-së. Gara ndërmjet subjekteve është konsideruar e fortë, pasi gjatë gjithë procesit të numërimit të votave partitë kanë dalë në avancë me një përqindje fare të vogël, herë njëra e herë tjetra. Pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja që komisionerët herë pas here të sajojnë mosmarrëveshje ndërmjet tyre, duke ndërprerë procesin në disa qendra të numërimit të votave. Mbrëmë deri rreth orës 24:00 kishin mbetur pa u numëruar vetëm 6 kutitë e fundit, të cilat gjithsesi nuk pritej që të përmbysnin rezultatin, duke e ndarë mandatin prej 12 deputetësh në këtë qark, 6 për PS-në dhe 6 për PD-në. E përllogaritur në përqindje, Partia Socialiste në rezultatet e deritanishme mori 43.72 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike 41.99 për qind. Në sajë të rezultateve, të cilat ende nuk janë zyrtare nga KQZ-ja, në parlamentin e ardhëm deputetët e PD-së janë: Ridvan Bode, Gjergji Paja, Ledina Aliolli, Edmond Spaho, Fatbardh Kadilli dhe Ismail Hoxha. Ndërsa deputetët e majtë janë: Ben Blushi, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Alfred Dalipi, Arben Ahmetaj dhe Olta Xhaçka.
Ndërkohë, ndryshe nga sa pritej, PD-ja fitoi Pogradecin, i cili konsiderohej si bastion i së majtës. Mbrëmë u numërua edhe kutia e fundit në këtë qytet, ku ky subjekt fitoi me një diferencë të ngushtë, me 53 vota më shumë. Dje në qendrën e numërimit nr. 29 në Korçë u shënuan mosmarrëveshje të komisionerëve. Pesë kuti u konsideruan të pavlefshme, pasi komisionet e qendrave të votimit kishin lejuar që zgjedhësit të votonin pa pasaporta apo karta identiteti. Deri në momentin e shpalljes së pavlefshme të tyre në këtë qendër ishte fituese PD-ja me 700 vota më shumë. Ndërsa në qendrën e votimit nr. 30, rreth orës 04:30 u ndërpre numërimi. Deri në këtë moment PS-ja fitonte me një diferencë të vogël prej 51 votash. Kishte mbetur për t’u numëruar edhe kutia e fundit, e cila i përkiste qendrës së votimit në fshatin Sovjan. Numërimi i saj evidentoi rritjen e fitores së PS-së me rreth 300 vota. Por pasi procesverbali u mbush dhe iu dorëzua drejtuesve të komisionit për t’u nënshkruar, më pas “humbi”. Komisionerët duke akuzuar njëri-tjetrin për zhdukjen e këtij procesverbali ndërprenë punën dhe u larguan. PS-ja e Korçës me një relacion i kërkon KQZ-së të vendosë për fatin e kësaj kutie. 
Ndërkohë, rreth orës 03:00 përfundoi procesi i numërimit në Devoll, ku fituese doli PD-ja me rreth 900 vota më shumë se PS-ja. Në rrethin e Kolonjës numërimi ka përfunduar që ditën e hënë, duke nxjerrë fituese PS-në. Në rrethin e Pogradecit numërimi i votave të kutive të votimit nuk ka qenë shumë i qetë. Mosmarrëveshjet e komisionerëve ndërprenë që në orët e vona të së hënës numërimin për të filluar vetëm dje në mëngjes. Deri në orën 16:00 ishin numëruar 54 kuti dhe rezultati tregonte se kryesonte PS-ja me 159 vota më shumë. Ky rezultat në fakt nuk pritej për Pogradecin, e cila gjithnjë ka qenë bastion i së majtës. Por rezultati kaloi në orët e darkës në favor të PD-së, duke e shpallur atë fituese në kutinë e fundit.                                   j.gj

qarku korÇe

Aleanca e Ndryshimit

PD    55603 vota
PR    2327 vota
PAA    587 vota   
PDI    47 vota   
PAD    305 vota   
BLD    763 vota
PLL    320 vota
AMIE    617 vota   
PADS    60 vota
PBK    439 vota

Bashkimi per Ndryshim

PS    57761 vota
PSD    1763 vota
PDS    647 vota   
PBDNJ     2248 vota    G99    897 vota

Aleanca Soc. për Integrim

LSI    4554 vota
PSV  261 vota

Numri i zgjedhësve që kane votuar 135.657

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›