E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrësi pa fitues, luhatjet e votave mes Dakos dhe Xhaferrajt

11/05/2011  Uljet e ngritjet gjatë numërimit të votave në ditën e djeshme

Gjatë gjithë ditës së djeshme deri në mesnatë beteja për Bashkinë e Durrësit mes kandidatit socialist Vangjush Dako dhe demokratit Ferdinand Xhaferaj ka vijuar e pandërprerë. Dako ka pasur një avantazh të lehtë, por me ulje e ngjitje nga njëra kuti në tjetrën. Partia Demokratike ka fituar pesë mandate deri mbrëmë në komunat e bashkitë e qarkut përkundrejt asnjë mandati të PS-së, e cila ka shpresë të parë e të vetme mandatin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Beteja e fortë dhe me shumë ethe ndër anëtarë e simpatizantë ka vijuar për Bashkinë e Durrësit. Shtabet elektorale të të dy kampeve janë ulur e ngritur në shkallët e pallatit të sportit me dhjetëra herë, ndërsa u kanë ngulur sytë monitorëve dhe fletëve me shënimet përkatës. Kandidati socialist Vangjush Dako ka kryesuar në pjesën më të madhe të kutive madje edhe atje ku PD mendonte se kishte elektoratin më të fortë, ndërsa kandidati Ferdinand Xhaferaj e ka ulur diferencën herë pas herë. Janë 165 kuti votimi që do të numërohen për të përcaktuar fituesin, ndërsa deri në orën 22 kanë përfunduar vetëm 68 kuti. KZAZ-ja numër 8 tek pallati i sportit ka vijuar normalisht, ndërkohë që kandidati PS Vangjush Dako në 68 kuti vijon të kryesojë me rreth 350 vota. Deri në orët e mbrëmjes procesi është mbyllur përfundimisht në pesë njësi vendore, ndërkohë që në pesë të tjera është në proces apo nuk ka nisur fare. Konkretisht fituesit e “Aleancës për qytetarin” janë shpallur Sherif Fortuzi në Sukth, Hil Priska në Katundi Ri, Bujar Huqi në Bashkinë e Manzës, Hysen Gashi dhe Agim Hoxha në Xhafzotaj. Procesi në të tri KZAZ-të e qarkut ka nisur në orë 7 të mëngjesit të djeshëm, ndërsa në KZAZ-në numër 8 tek pallati i sportit “Ramazan Njala” është bllokuar pak pas nisjes, pasi për dy orë është ndërprerë energjia elektrike. Ky fakt ka vënë në gjendje gatishmërie e vigjelence strukturat e të dy palëve për të ndjekur nga afër çdo gjë. Beteja për mandatin e qeverisjes vendore ka qenë e lehtë vetëm në komunën Xhafzotaj, pasi Agim Hoxha i cili ka marrë mandatin e 4 ka marrë 4 herë më shumë vota se konkurrenti i tij Basri Gjokë duke e mbyllur fushatën me 2600 vota përkundrejt 720 votave të socialistit Gjoka. Në Sukth Sherif Fortuzi i PD është ndeshur njëherësh me kandidatin e pavarur Hysen Llaca dhe socialistin Selami Xhelili duke fituar me 3789 vota. Beteja ka qenë përgjithësisht e lehtë edhe për Hil Priska në komunën Katundi i Ri me 16 mijë zgjedhës të listuar, por që realisht kanë votuar rreth 5500 prej tyre kapi 43 për qind. Priska ka marrë mandatin e tij të tretë për të qeverisur duke mundur me një diferencë prej 1800 votash konkurrentin e tij të PS Sërvet Balla.

Gara në zonën e Plazhit

Në orët e paradites janë numëruar kutitë e votuesve në lagjen numër 13 të Plazhit, Shkozetit, pjesërisht të Kënetës dhe Spitallës duke iu afruar rrethimit të qytetit për të kaluar kështu në zonën më të nxehtë të kësaj beteje. Në Durrës asnjë kamp politik nuk ka mundur të tregohet optimist. Në Plazh, zona që deri tani ka qenë pikë e fortë e PD është mbyllur me 210 vota më shumë për socialistin Dako, Shkozeti me 60 vota pro tij dhe NISH Tulla me 34 vota. Në të tri këto zona PD është zhgënjyer për të kompensuar pjesërisht në lagjen 14, 15, 17, 18 të Kënetës dhe fare pak në Spitallë. Humbja e PD në Plazh, Shkozet e Nish Tulla është e barabartë me një zonë elektorale për deputet ku në mandatin e fundit parlamentar fitues ka qenë PD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›