E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i numërimit, KQZ kërkon ndihmë nga policia

11/05/2011  Në KZAZ-në 54, njësia 10, zëvendësohen komisionerët e Partisë Socialiste

Ristani: Numëruesit refuzojnë të dalin, duam ndihmën e forcave të rendit

Situata e djeshme në disa qendra numërimi në kryeqytet ka qenë e tensionuar, gjë që ka detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të marrë masa për zëvendësim të komisionerëve në zonat problematike. Në Tiranë, procesi i numërimit gjatë ditës së djeshme ka ecur me ritme të ngadalta, pasi në shumicën e qendrave procesi është pezulluar, sepse komisionerët kërkonin të pushonin, ose është bllokuar si në KZAZ 54 të njësisë bashkiake numër 10. Në njësinë bashkiake numër 10, në orët e para të paradites, në një mbledhje të sajën, anëtarët e KQZ-së diskutuan mbi situatën që kishte të bënte me bllokimin e numërimit të votave. Në mbledhjen e bërë me kërkesë të anëtarëve të PS-së, u mor vendimi për të shkarkuar grupet e numërimit në këtë qendër numërimi, i cili u aprovua nga të gjashtë anëtarët e pranishëm në mbledhje. Pas vendimit të marrë u vendos që brenda një ore Partia Socialiste duhet të dërgonte numërues të tjerë, në mënyrë që procesi i numërimit të votave të rifillonte sa më parë. Grupet e numërimit braktisën vendin e numërimit, duke lënë fletët e votimit në tavolinë dhe duke mos i mbyllur në kuti, gjë që ka sjellë dhe reagime nga përfaqësuesit e partive politike që ishin të pranishëm në ambientet e shkollës “Avni Rustemi”, ku është dhe qendra e numërimit të votave për KZAZ 54, të njësisë bashkiake 10. Por rëndimi i situatës ka ardhur në momentin kur në oborrin e shkollës “Avni Rustemi” ka pasur një prani të forcave të policisë, ku dy deputetë të PS-së kanë tentuar të hyjnë në KZAZ, por të cilët janë ndaluar nga policia. Situata në KZAZ është raportuar në KQZ, ku u zhvilluan debate në lidhje me numëruesit. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi se numëruesit socialistë nuk pranojnë të dalin jashtë dhe ka kërkuar ndihmën e policisë që të ndërhyjë për t’i nxjerrë jashtë. Me një vendim të mëpasshëm, në mbledhjen e radhës, me katër votat e mazhorancës, KQZ-ja vendosi dje shkarkimin e tre anëtarëve të PS-së dhe një të PBDNJ-së në KZAZ nr. 54, dhe i bëri sërish thirrje PS-së e PBDNJ-së të dërgonin emrat deri në orën 14. 30. Ky vendim u zbatua nga dy forcat opozitare në mbledhjen e orës 15, ku u bë dhe miratimi i katër anëtarëve të rinj në KZAZ-në 54. Por pavarësisht vendimeve të KQZ-së, anëtarët e shkarkuar kanë qëndruar sërish brenda në KZAZ, ku theksuan se numërimi nuk do të fillonte pa ardhur të gjithë anëtarët e rinj. Por rreth orës 17 të ditës së djeshme, situata është zhbllokuar duke i hapur rrugë vijimit të numërimit të kutive të votimit.

Ndëshkim për komisionerët

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi dje se ky institucion është i gatshëm të ndërmarrë masat e ndëshkimit për komisionarët të cilët lënë në mes procesin e numërimit të votave dhe zvarrisin procesin. Ndërsa nënkryetarja Dëshira Subashi tha se duhet shënuar në dokumentacion çdo bllokim dhe largim që ndodh në KZAZ, në mënyrë që të mos rezultojë ndonjë problematikë me dokumentacionin në përfundim të procesit zgjedhor.

Njazi Kosovrasti

Eksperti i KQZ-së, Njazi Kosovrasti, në një dalje publike theksoi dje se numërimi mund të vonohet në kohë, por jo të vidhet. “E shumta që mund të ndodhë, është vonesa në numërimin e votave, por nuk bëhet fjalë për vjedhje dhe manipulime të procesit të numërimit të votave”, tha ai. Lidhur me ngjarjen e djeshme, ku disa numërues kanë bojkotuar procesin e votimit, Kosovrasti tha se ky përbën precedent të rëndë, sa i përket braktisjes së fletëve të votimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›