E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi, vetëm injoranca nuk i trembet agresionit të detit

Durrës- Kjo foto tregon atë që shumëkush e ka parë, bregdetin e Durrësit, ose zonën e tij turistike mbushur me konvikte. Edhe këtu, si në gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, përparimi i detit është shumë i dukshëm. Lukunia e hoteleve tashmë është jo më shumë se dhjetë metra nga vija e ujit, e madje në disa zona edhe më afër. Kjo distancë, edhe sikur të mbetet përjetësisht kështu, bën të pamundur frekuentimin e tyre nga turistët, por më e keqja është se deti vazhdon të përparojë. Dhe, si për inat të detit dhe mbarsur me maksimumin e injorancës dhe papërgegjëshmërisë, biznesi, me lejen e bashkisë, vazhdon të ndërtojë gjithnjë e më afër vijës së ujit. Askush nuk do ta dëgjojë alarmin e studiuesve. Do të duhet të pritet dita kur këta hotele të pësojnë fatin e bunkerëve, të cilët kur u ndërtuan ishin 200 m larg ujit dhe tani janë 200 metra në ujë, për të kuptuar se çfarë mund të pësosh kur me kembënguljen e budallait injoron natyrën

Bregdeti shqiptar, vitet e fundit  është duke u përballur në mënyrë agresive me ndryshimet klimaterike dhe veçanërisht me rritjen drastike të erozionit të detit si pasojë e dëmtimit të shtretërve të lumenjve, duke prishur kështu ekuilibrat natyror të marrëdhënieve mes detit dhe tokës.

Nga viti në vit, deti përparon me ritme të frikshme drejt tokës sonë. Por, të vetimit që nuk duan ta pranojnë këtë fakt janë njerëzit dhe mbi të gjitha pushteti. Sipas studiuesit Spiro Boçi, një prej më të çmuarve në fushën e studimit të bregdetit, ka një luftë mes detit dhe lumit, i cili e mposht shkallën gërryese të tij me inertet që shkarkon. Por si pasojë e marrjes së intereve gjatë këtyre 20 viteve të fundit, është deti që ka kaluar në kundërsulm dhe viktimat janë duke u bërë zonat e ulëta të Adriatikut. Në evolucionin natyror të bregdetit të Adriatikut, raporti mesatar midis akumulimit të inerteve dhe erozionit është rreth 2-5%. Ky raport, sot, në shumë pjesë të bregdetit është zvogëluar shumë dhe po kalom më të kundërtën. Për pasojë në shumë laguna dhe gjire deti është duke përparuar drejt tokës më ritme vërtet katastrofike.

Studiuesi Boçi thotë se devijimi i lumti të Ishmit për mbushjen e liqenit të Patokut, ku projektuesit nuk morën në konsideratë paralajmërimet për të patur kujdes me mënyrën e devijimit të lumit, për të mos prekur zhvillimin natyror të bregdetit, u shoqërua me shumë pasoja negative. Ky devijim dëmtoi shumë plazhin e Patokut dhe ndërtimet në këtë plazh, prishi kushtet natyrore që lumi Ishëm dhe Mat  kishin krijuar për formimin e një liqeni të ri dhe dëmtoj shumë gjatë zonën bregdetare ku ndikon lumi Ishëm.

Shfrytëzimi tej mase i inerteve në lumin Erzen, përgjatë gjithë gjatësisë së tij, në këto 20 vjetët e fundit solli si pasojë erodimin e madh të grykëderdhës me rreth 2200 metër, duke e pozicionuar atë për pozicionin që ka patur  në vitin 1910. Mungesa e derdhjes së inerteve, të cilat ruanin ekuilibrat natyrorë në marrëdhëniet mes detit dhe tokës, e bëri detin shumë agresiv. Ky shkatërrim mjedisor e vuri zonën e ndikimit të lumit pothuajse tërësisht në kushte erozioni që mund të shuajë prespektivën turistike të zonës së Gjirit të Lalësit. Zona sot është nën pushtetin e ligjeve të detit, të cilat po bllokojnë edhe grykëderdhjen e lumit që mund të pasohet me prishjen e argjinaturës të fushës së bonifikuar të Durrësit edhe përmbytjen e saj.

Projektuesit e hidrovorit të Karavastasë së vogël për bonifikimin e saj nuk marrin parasysh ecurinë e zhvillimit natyror të bregdetit në këtë zonë dhe shkëputen aktivitetin e pjesshëm të grykëderdhjeve të vjetra të lumit Seman. Si pasojë në këtë nën zonë u rrit shumë erozioni në një gjatësi të vijës prej rreth 6000 metra. Çdo vit deti përparon në këtë zonë me rreth 20-25 metra dhe vetëm brënda 10 vjetëve atyre iu reduktua një sipërfaqe toke rreth 200 hektarë. Plazhit të Semanit, i projektuar në vitet 1968-1972, pas 30 vjetësh u zhduk.

Agresiviteti i detit ndaj tokës tashmë është shumë herë më i kushtueshëm, pasi bregdeti është mbushur me ndërtime pa asnjë kriter. Ndërsa deti vjen drejt tokës, autoritete vazhdojnë të lejojnë ndërtime gjithnjë e më afër vijës së ujit. Dy vjet më parë fshatra të tërë në ultësirën e Lezhës u përmbytën jo nga lumi, por nga një batiçë që çoi deri në 2 metra nivelin e ujit në fshat.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Nëse shkrijnë akullnajat, niveli i detit rritet me 7 metër Temperatura e Tokës është ngritur me gjysmë grade, edhe pse...
  2. Peqin- Panairi i gjelave të detit, fermerët ruajnë traditën Peqin- Panairi i përvitshëm i gjelave të detit është organizuar...
  3. Pas pastrimit të detit nga nafta, më në fund pinguinët u rikthyen Pinguinët u kthyen në det pas dy muajve robëri. Ata...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›