E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrsakët, 40 telefonata në ditë në sallën operative

22/02/2010 Lajmërohen vrasje, tentativa, prishje të rendit, rrahje etj. Policia: Ndihmesë e madhe

DURRES- Është shtuar në mënyrë të ndjeshme ndërgjegjësimi i qytetarëve për të denoncuar në polici veprimet e kundërligjshme. Gjatë muajit të kaluar si dhe në 15 ditët e para të këtij muaji janë shënuar një numër shumë i madh telefonatash në sallën operative.

Telefonatat

Plot 1224 telefonata qytetare janë regjistruar në periudhën 3 janar-31 janar 2010, numër ky shumë më i madh sesa mesatarja mujore e një viti më parë. Policia ka bërë të ditur se mesatarisht në një ditë janë realizuar deri në 40 thirrje anonime qytetare për të afruar informacione apo për të denoncuar veprimet e kundërligjshme. Kështu në shumë prej tyre janë dhënë detaje apo edhe adresa të sakta e të shpejta për konflikte me armë, vrasje e tentativë vrasje, kërcënime e kanosje, prishje të qetësisë publike, aksidente rrugore, vjedhje, shkatërrim të pronës me dashje etj. Gjatë muajit të kaluar janë regjistruar 120 vepra penale dhe për identifikimin e autorëve në një pjesë të tyre kanë mundësuar thirrjet telefonike qytetare në sallën operative. Kjo sallë qëndron në gatishmëri të plotë në 24 orë dhe bashkërendon me efektivat e gatshme të policisë në terren. Shtimi i rasteve të telefonatave është arsyetuar me rritjen e besimit të komunitetit në forcat e rendit. Në 15 ditët e para të muajit shkurt shifra e telefonatave ka shkuar në 480 dhe ato kanë ndikuar në rritjen e sigurisë në qytet. Burimet policore thonë se janë fare pak telefonata të dështuara, të cilat vinë nga informacionet e gabuara e të pasakta. Një shërbim i tillë qytetar ka mundur, sipas policisë, të shmangë konfrontime fizike apo edhe të parandalojnë krimet si pasojë e konflikteve të lindura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›