E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmija një muajsh, “ditëlindje e dytë” pas ndërhyrjes në zemër

22/02/2010 Mjekët realizojnë ndërhyrjen e parë në zemër për një foshnje në Shqipëri

Ka qenë një mrekulli paraditja e së premtes për Henrin, fëmijën një muajsh të familjes Cora, të operuar në zemër në sallën e kardiokirurgjisë në QSUT. Nga një fëmijë që për mjekët shqiptarë ishte konsideruar si i pashpresë për jetën, sot ai mund të urohet për “një ditëlindje të dytë”.

Operacioni

Sipas mjekëve, 48 orët në terapinë intensive kanë kaluar që dje me sukses, ndërkohë që kardiokirurgu italian, Bruno Murzi, që kreu ndërhyrjen paraditen e së premtes së bashku me dy mjekët shqiptarë, Baboçi e Refatllari, është larguar dje drejt Italisë, vetëm pasi është siguruar për gjendjen pozitive të fëmijës.

Kjo ka qenë edhe ndërhyrja e parë në zemër për një moshë dhe një peshë të tillë në sallën e kardiologjisë shqiptare. Familjarët e Henrit janë shprehur se, ndërhyrja ka qenë një mrekulli nga Zoti, në një moment që i kishin humbur shpresat se mund të kishte një zgjidhje të suksesshme. Edhe për fëmijën do të nevojitet edhe një ndërhyrje tjetër, ndoshta pas një viti, babai i tij, me banim në Greqi, shprehet se e ndjen veten me fat, që fëmija e tij u operua nga një prej mjekëve më të njohur në vendin fqinj lidhur me problemet në zemër për fëmijët. “Dua të falënderoj mjekët italianë dhe ata shqiptarë që vendosën për operimin e djalit tim, si dhe qendrën Një botë për një zemër që ka negociuar praninë e këtyre mjekëve në Tiranë”, tha i ati i fëmijës së sapoperuar.

Telemjekësia

Defektet në zemër tashmë do të kenë një ekzaminim dhe një ndërhyrje shumë më të shpejtë se çka ndodhur deri më tani. Falë pajisjes katër dimensionale të vendosur në katin e tretë të maternitetit “Koço Glozheni”, tashmë defektet, jo vetëm ato të zemrës, do të mund të identifikohen që në javët 18-20 të shtatzënisë. “Përmes Telemedicinës, do të kryhen konsultime on-line me mjekët në Itali, në mënyrë që të vendoset një diagnozë sa më e saktë për rastet kur dyshohet së fetusi paraqet defekte”, u shpreh për “Metropol” koordinatori i projektit “Zemra e Ballkanit”, Girogio Riçi. Ky i fundit, në bashkëpunim edhe me qendrën “Një botë për një zemër”, të krijuar në Tiranë si pjesë e projektit, pritet të shtrijë bashkëpunim sidomos lidhur me dërgimin në spitalin në Massa Carrara të rasteve të rënda, si dhe të trajnimit të stafit. “Problem në Tiranë mbeten operacionet tek të sapolindurit, të cilat nuk bëhen në Shqipëri. Tani për tani do ketë një bashkëpunim që këto lloj operacionesh të bëhen në Itali dhe në një të ardhme të shpejtë të bëhen edhe në Shqipëri”, tha Riçi.

Nisma

“Një botë për një zemër”, qendra e re në Tiranë

“Një botë për një zemër”, e themeluar në fillim të këtij viti në Tiranë, është një qendër në ndihmë të fëmijëve me probleme në zemër. Drejtuesi i kësaj qendre, Agim Baçi, ka shpjeguar për “Metropol” se, shoqata që ai drejton ka për qëllim promovimin dhe mbështetjen e aktiviteteve dhe iniciativave direkte për të ndihmuar fëmijët me defekte të lindura të zemrës, deri në kryerjen e operacioneve dhe rehabilitimit të plotë. “Në bashkëpunim me qendrën Un cuore, un mondo pranë spitalit në Massa, si pjesë e projektit të spitalit të zemrës, gjinekologët shqiptarë do të trajnohen për të zbuluar kardiopatitë e lindura ende pa lindur foshnja dhe rastet e rënda do të dërgohen në Itali për shërbim mjekësor, derisa në vendin tonë të ketë infrastrukturën e duhur për ti realizuar ato”, tha Baçi për “Metropol”. Sipas Baçit, qendra ka si synim të promovojë aktivitete të koordinuara nga prindërit që kanë pasur fëmijë me probleme në zemër apo që i kanë ende ato. “Të shpëtosh një jetë është si të shpëtosh gjithë botën, ndaj dhe ne të gjithë duhet të jemi të ndjeshëm ndaj këtyre situatave që krijohen me familjet kur u vjen në jetë një fëmijë me probleme”, tha Baçi, duke shpjeguar se e gjithë asistenca ndaj rasteve të paraqitura do të jetë falas nga kjo qendër. “Por ne, duhet të kontribuojmë bashkarish, që së pari, të përmirësojmë shëndetin e fëmijës dhe së dyti, të qetësojmë familjet që gjendjen në një situatë të tillë”, tha Baçi.

Defekte në zemër, rreth 300 lindje çdo vit në Shqipëri

Sipas të dhënave që kanë sot mjekët kardiologë, dyshohet se janë rreth 300 lindje të fëmijëve me probleme në zemër çdo vit në të gjithë Shqipërinë, çka do të thotë, një fëmijë për njëmijë lindje. Sipas kardiologëve, një pjesë e fëmijëve rrezikon të humbë jetën, nëse operacioni nuk kryhet në dy muajt e parë, siç ishte edhe rastit të vogëlushit një muajsh që u operua paraditen e së premtes në QSUT. Një pjesë e rasteve janë operuar në Turqi apo Greqi, ndërkohë që telemjekësia e vendosur së fundmi në maternitetin “Koço Glozheni” pritet të rrisë parandalimin e këtyre rasteve duke i identifikuar në kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›