E Diel, 1 Nëntor 2026

Dushan Mugosha-Shqipërisë: “Ne i mësuam komunizmin Hoxhës”

Autori i Lajmit: Androkli DraloBeograd, 17 gusht 1961 - Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Kryeministri i këtij vendi, akuzohen nga udhëheqësit jugosllavë se kanë ekzekutuar mijëra shqiptarë dhe mijëra të tjerë që pritet të “theren si dele” thjesht, sepse “e kanë dashur vendin dhe popullin e tyre”. Në një intervistë dhënë të përditshmes sllovene “Delo” të datës 16 gusht, Dushan Mugosha, Sekretari i Komitetit Lokal i Kozmetit, - zona e banuar nga qindra mijëra shqiptarë – përshkroi se si e kishin gjetur udhëheqësit jugosllavë Partinë e Punës të Shqipërisë në nëntor 1941 dhe se si e kishin inspiruar dhe ndihmuar atë deri në qershor të 1948-ës pas prishjes me Moskën. Në vitin 1941, Mugosha u dërgua së bashku me Miladin Popoviçin (udhëheqësin jugosllav të vrarë në zyrën e tij (1945) nga një shtetas shqiptar) për të bashkuar grupet komuniste në Shqipëri dhe për të themeluar Partinë dhe çetat partizane. Mugosha dhe Popoviçi arritën të bashkonin tre grupe komuniste: 1) të Korçës, 2) të Shkodrës 3) dhe të të Rinjve. “Askush nga këto tri grupe, - tha Mugosha,- nuk kishte asnjë filozofi për jetën, dhe akoma më tej, s’kishin as edhe një organizatë që do t’iu mundësonte atyre një luftë të suksesshme “kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të brendshëm”, - tha Mugosha. “Veprimet e kryera nga Popoviçi dhe unë në Shqipëri, janë veprime që askush nuk do të mund t’i fshijë dot, pavarësisht gjithë përpjekjeve të bëra nga udhëheqësit shqiptarë për të falsifikuar historinë”, - vazhdoi më tej udhëheqësi komunist jugosllav. Mugosha shtoi se prej 8 nëntorit 1941, kur u themelua Partia e Punës së Shqipërisë, atij dhe Miladin Popoviçit u ishte dashur “të përsërisnin vazhdimisht gjërat më elementare” për shembull: Çfarë do të thotë të jesh një komunist, çfarë bën një komunist, etj. Më pas Mugosha shtoi: “Ndodhte që unë të përsërisja vazhdimisht se çfarë është Partia, çfarë janë celulat, çfarë është disiplina politike, çfarë lloj marrëdhënieje duhet të mbizotërojë në organizatë e kështu me radhë. Kjo duhet të përsëritej dhjetëra herë, derisa u krijuan celulat e Partisë. Fakti që shqiptarët edhe sot vazhdojnë të sulmojnë pareshtur mbështetësit e tyre jugosllavë, provon se Enver Hoxha dhe shokët e tij nuk ishin nxënës të mirë. Me sa duket, kjo është pikërisht arsyeja se përse zoti Mugosha kujton se si u bë Hoxha drejtuesi i çetave partizane shqiptare, duke shtuar se Hoxha ishte emëruar pikërisht nga ai dhe Popoviçi. Ky i fundit ishte dhe autori i njoftimeve të PPSH-së, ai instruktonte njerëzit se çfarë duhet të bënin dhe ishte inspiruesi dhe udhëheqësi i vërtetë i Partisë Komuniste Shqiptare”, - deklaroi Mugosha. Arsyeja e vërtetë se përse ekzistonte Partia Komuniste Jugosllave, mjaftonte dhe për ekzistencën e PPSH-së gjithashtu”, - vazhdoi më tej Sekretari i Komitetit Lokal i Kozmetit. Ai nuk harroi të përmendte dhe dy udhëheqës të tjerë komunistë: Svetozar Vukmanoviç-Tempo, shefin e tanishëm të sindikatës jugosllave dhe Blazo Jovanoviçin, udhëheqësin e Malit të Zi, - duke theksuar se ishin edhe dy jugosllavë të tjerë, pa ndihmën e të cilëve sot Partia e Punës së Shqipërisë nuk do të ekzistonte. Por duke u përpjekur të shpjegojë shkakun kryesor të kësaj fushate të ashpër antijugosllave në Shqipëri që prej vitit 1948, Mugosha thekson se ka qenë pikërisht “xhelozia e udhëheqësve shqiptarë për shkak të suksesit tonë dhe për shkak të pozicionit të tyre të brendshëm”. Ky është shkaku përse Hoxha dhe Shehu “nuk zgjodhën armët në luftën e tyre kundër Jugosllavisë”. Në këtë kontekst, Mugosha shtoi: “Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu me politikën e tyre brutale kanë eliminuar fizikisht dhe politikisht kuadrot më të njohura revolucionare të vendit dhe udhëheqësit politikë dhe ushtarakë, të cilët kanë shfaqur përkushtim të plotë ndaj popullit të tyre gjatë luftës për çlirimin e vendit. Shumë prej tyre u ekzekutuan nga udhëheqësit shqiptarë. Por shumë prej tyre sot janë duke pritur në burgjet e Hoxhës dhe Shehut për t’u therur si dele. Shumica e revolucionarëve të vjetër janë eliminuar politikisht. Dhe kjo, me sa duket, qenka një praktikë që prej vitit 1948...” Ndërsa për sa i përket gjyqit të fundit të Teme Sejkos dhe shokëve të tij, Mugosha u shpreh se “as vetë anëtarët e Byrosë Politike i besojnë të tilla sajesa” me të cilat akuzohen këta persona. Mugosha shtoi se Hoxha dhe kompania e tij “kanë arsye madhore për të udhëhequr një propagandë antijugosllave”. Por mënyra se si udhëheqësit shqiptarë flasin “është njëlloj si ajo e fashistëve italianë”. Në këtë mënyrë udhëheqësit shqiptarë besojnë se ata do të mund të “tërheqin vëmendjen e popullit nga situata e vështirë ekonomike që po kalon Shqipëria”. Në përfundim të intervistës së tij Mugosha deklaroi se Enver Hoxha dhe mbështetësit e tij në Shqipëri “janë të shqetësuar, për shkak të pozicionit në të cilin gjendet minoriteti shqiptar në Jugosllavi. Tashmë nuk mund të mbahet më i fshehur flirti mes Beogradit dhe Moskës. Zhvillimet paralele të sovjetikëve drejt Beogradit mund të sigurojnë shumë mirë dhe fakte për motivet. Ndërsa përvjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Kineze i ishte dhënë hapësirë minimale në shtypin sovjetik, ajo e nisjes së fushatës partizane jugosllave kundër pushtimit nazist kishte zënë pjesën më të madhe të faqeve të gazetës. Tito veproi drejt. Ai përdori rastin për të krahasuar riarmatosjen e Republikës Federale Gjermane nga fuqitë perëndimore me politikën e tyre të paraluftës ndaj Hitlerit në kohën e marrëveshjes së Munihut dhe për shprehjen e simpatisë me propozimin e Hrushovit për mbylljen e Traktateve të Paqes me “dy vendet gjermane”. Pak ditë më vonë, ministri i Jashtëm i tij, Koça Popoviç, shkoi për një javë në Moskë. Kjo ishte vizita e parë e nivelit të lartë që prej kohës kur Jugosllavia refuzoi të nënshkruante deklaratën e Partive sunduese Komuniste në Moskë, në vitin 1957. Në komunikatën e fundit, të dyja palët shprehën kënaqësinë që pikëpamjet e tyre për çështjet ndërkombëtare të parimeve janë “të ngjashme ose identike”. Por tani që Beogradi është gati të mirëpresë një konferencë të vendeve të paangazhuara, sovjetikët shumë mirë mund t’i konsiderojnë jugosllavët si një kanal shumë të vlefshëm për ndikimin e qëndrimit të të ftuarve të tyre për çështjet që shqetësojnë botën. Gjatë përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, sovjetikët kanë qenë të kujdesshëm të mos bëjnë një ndarje formale për dënimin e revizionizmit jugosllav, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar në deklaratën e Moskës. Ata po shqyrtojnë me heretikët miqësorë të qeverisë më shumë se në nivel partiak dhe e përshkruajnë Jugosllavinë si një vend “demokratik dhe paqedashës”, më shumë se një vend “socialist”. Por ndërsa kjo është e papërshtatshme me tekstin e deklaratës, ajo shkon kundër opinionit të shprehur nga aleatët e tyre kinezë, të cilët i konsiderojnë jugosllavët si tradhtarë në shërbim të armikut. Udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ka qenë një mbështetje për Titon pas ndërprerjes së marrëdhënieve të këtij të fundit me Stalinin (1948). Kjo lëvizje u analizua më shumë se sa një veprim taktik politik, një frikë nga një pushtim i mundshëm i Shqipërisë nga Jugosllavia, duke marrë parasysh dhe zërat për aneksimin e territorit shqiptar nga Jugosllavia dhe Greqia. Por gjashtë vjet më vonë, kur Hrushovi nisi flirtimin me Jugosllavinë, Shqipërisë nuk i duhej një afrim Beograd-Moskë dhe akuzoi sovjetikët se kishin shkelur parimet e ideologjisë komuniste. Kina e Kuqe nuk mund ta linte pa shfrytëzuar këtë rast, duke qenë se Titon e konsideronin të shitur dhe u gjend në krah të vendit të vogël në Adriatik. E këtu lufta Kinë-Rusi nuk mund të fshihej më.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›