E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL: Të majtët kundër zgjedhjeve të lira si në 24

Autori i Lajmit: Redaksia

Lëvizja e Legalitetit ka mbledhur dje Këshillin Kombëtar të Partisë ku është bërë zgjedhja e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe e anëtarëve të Kryesisë. Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar Kryetari Spahiu tha se kjo mbledhje zhvillohet edhe me rastin e 85 vjetorit të Triumfit të Legalitetit, datë e shënuar jo vetëm për PLL-në por edhe për historinë e Shqipërisë, sepse më 24 dhjetor të vitit 1924 u rikthye legjitimiteti i zgjedhjeve të 27 dhjetorit 1923 për Kuvendin Kushtetues (Parlamenti i asaj kohe), ku grupimi politik i drejtuar nga Ahmet Zogu dhe aleatët e tij kishin fituar zgjedhjet. Spahia kujtoi se të majtët e asaj kohe, të cilët nuk mundën të vinin në pushtet me votën e lirë, përdorën armët dhe organizuan grushtin e shtetit të qershorit 24. Agresioni i të majtëve, sipas tij, ndaj zgjedhjeve të lira dhe rendit kushtetues në vitin 1924 zgjati pak muaj, sepse bolshevikët, nën drejtimin e Fan Nolit, nuk ishin thjesht në konflikt me Ahmet Zogun, por me popullin shqiptar dhe institucionin e votës së lirë. “Për ironi të fatit edhe tani në vitin 2009 kemi një situatë të përafërt. Nga njëra anë kemi një mazhorancë legjitime të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe nga ana tjetër kemi një opozitë që po i kundërvihet hapur interesave të vendit duke mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, vendimet e gjykatave dhe injoruar interesat e votuesve te tyre”, - tha ai. Në fjalën e tij kryetari Spahiu përfitoi nga rasti dhe uroi të gjithë besimtarët e krishterë festën e Krishtlindjes duke shpresuar se kjo ditë do të sjellë paqe dhe harmoni në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Këshilli Kombëtar miratoi edhe disa vendime për zhvillimin e konferencave zgjedhore në të gjitha degët e PLL në rrethe dhe diasporë.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›