E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një “Trieste” e re për paktin PS-PD

Autori i Lajmit: Nga Zamir AlushiKur Berisha, Klosi, Rama, Meta e Basha takuan duart në Kishë, në strehën e Kryepeshkopit Janullatos, u lehtësuam, jo se gjesti i tyre tregon perspektivë për paqe politike, por për momentin, e përcollëm me një buzëqeshje atë sjellje qytetare.
Me imagjinatën tonë shkuam në skema negociatash nën kujdesin e Kishës, në arritjen e një marrëveshjeje mes PS dhe PD për kutitë e votave. Të dy liderët e kampeve politike kanë mbetur në një ngërç, jo vetëm pa alternativa, por edhe pa negociatorë. Në fakt, fjala nuk është për negociatorë të thjeshtë që do kryenin një pazar, siç ka ndodhur rëndom në skenën tonë politike, madje edhe kur është bërë fjalë për zgjedhjen e Presidentit. Tashmë është kuptuar se Berisha dhe Rama do të donin një garant për marrëveshjen që do të arrinin. Njëri mund të ishte presidenti Topi, por me sa duket, është i pabesueshëm për të garantuar një marrëveshje mes opozitës dhe pozitës. Ndërkaq, ambasadorët dhe organizatat e monitorimit e kanë bërë të qartë se nuk do të ndërhyjnë në punët e partive shqiptare. Duke parë afrimin në Kishë, mendja na shkoi te negociatorët me petk fetar. Precedenti është marrëveshja e Triestes mes Nanos dhe Berishës që solli kalimin paqësor të pushtetit te PD me zgjedhjet e 22 marsit 1992, rrëzimin e presidentit Alia dhe pika të tjera, të cilat kanë mbetur mister mes të dyve.
Bisedimet u bënë nën kujdesin e Komisionit të Venecias dhe ndërhyrjen direkte të Vatikanit. Me sa duket, Berisha e hëngri në besë Nanon, prandaj ky i fundit i shkruante nga burgu në një artikull se “Jam gati ta rinisim aty ku e lamë”. Nano dhe Berisha patën marrëveshje të tjera pas ardhjes në pushtet të PS-së, madje Rama pretendon se ka një marrëveshje të fshehtë Berisha-Nano-Meta, por publikisht nuk është vënë re ndonjë bashkëpunim i ish- kryetarit të PS-së me kryeministrin Berisha, qysh para zgjedhjeve të kaluara vendore. Tani ka ndryshuar një aktor, në vend të Nanos është Rama. Në këto kushte, ose duhet riparuar “Marrëveshja e Tristes”, ose duhet një marrëveshje nën kujdesin e ndonjë fuqie tjetër, siç mund të ishte Greqia. Nëse do të shihnim drejtimin e ri të mazhorancës që i ka dhënë liri faktorit nacionalist grek në Jug, afrimin e Berishës me qeverinë greke deri në firmosjen e paktit detar të paditur në Kushtetuese, zbutjen e retorikave dhe afrimin së fundi me Serbinë, duket qartë se po kërkohen koordinata të reja aleancash. Eshtë shumë e mundshme që marrëveshja të negociohet nga Kisha Ortodokse dhe nën kujdesin e Papandreut, që është aleat ndërkombëtar i PS-së.
Por këto janë vetëm hipoteza që i lejohen një gazetari ti ngrejë. Duke u kthyer te simbolika e prekjes së duarve në Kishë, nuk mund të mos na vijë në mendje mesazhi për Krishtlindje i Papa Benediktit XVI. Duket sikur foli edhe për krizën e politikës sonë dhe atë ekonomike. Sipas tij, nuk është kriza ekonomike, por ajo morale, që po e shkatërron njerëzimin. As ne nuk bëjmë përjashtim. Madje, duket sikur ai mesazh i shkon fare mirë Shqipërisë. Morali i Abelit dhe i Kainit po e shkatërrojnë prej dy dekadash këtë vend, jo kriza ekonomike. Prandaj, nuk ka perspektivë paqja dhe bashkëpunimi politik mes PS dhe PD.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›