Premier Ligë Sanderlend, Lorik Cana sot në fushë kundër Evertonit
Autori i Lajmit: RedaksiaAngli - Kapiteni i Sanderlendit, Lorik Cana, do të rikthehet në aksion në ndeshjen e sotme kundër Evertonit, dhe trajneri i “maceve të zeza”, Stiv Brus, beson se skuadra e tij do të rifitojë forcën e duhur për t’i dhënë fund ecurisë negative në pesë ndeshjet e fundit, ku ka koleksionuar katër humbje. Pas një starti premtues në fillim të sezonit, përfshirë dhe fitoret me Liverpulin e Arsenalin, Sanderlendi po kalon një periudhë aspak të mirë. Një humbje tjetër me “karamelet” e Evertonit, do të thoshte rënien në gjysmën e poshtme të tabelës për herë të parë në këtë edicion. Lorik Cana konsiderohet si një faktor kyç në skuadrën e Sanderlendit, pasi shqiptari shihet si ndërlidhës e frymëzuesi i reparteve dhe me stilin e tij kapiteni 26-vjeçar shtyn përpara skuadrën. Sanderlendi nuk ka statistika të mira me Evertonin, që ka fituar pesë ndeshjet e fundit rresht, ndërkohë që ka fituar edhe në takimin e fundit në shtëpinë e “maceve të zeza”, 0-2, më 3 maj 2009. Në pesë takimet e fundit, Evertoni ka shënuar pesë gola, kundrejt një goli të Sanderlendit. Golashënuesi më i mirë i Sanderlendit, Daren Bent (10 gola), ka shënuar vetëm dy gola në nëntë ndeshjet e fundit. Në fakt, edhe Evertoni nuk është se po kalon një sezon të mirë, në 11 ndeshjet e fundit ka grumbulluar vetëm 9 pikë nga 33 të mundshmet.
Blutë kundër Birmingamit
Menaxheri i Çelsit, Karlo Ançeloti, pret një test të vështirë në takimin e sotëm në fushën e Birmingam Sitit. Për Çelsin, Didier Drogba dhe Salomon Kalou do të jenë në gjendje të luajnë për herë të fundit, para se të largohen për në Afrikë, megjithatë Ançeloti nuk pret t’ia dalë lehtë. “Birmingam po vjen nga pesë fitore dhe një barazimi i njëpasnjëshëm. Mbi të gjitha, është vështirë të luash atje. Ata bëjnë shumë presion dhe ne do të duhet të jemi të vëmendshëm”, - u shpreh Ançeloti.
Arsenal kundër Villës
Menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, beson se ata mund t’u japin një goditje shpresave të Aston Villës për të përfunduar në top katërshen e këtij viti. Venger thotë se takimi i sotëm është një shans i mirë për djelmoshat e tij për të treguar fuqinë. “Është një ndeshje ku, nëse shikoni në tabelë, do të arrini në përfundim shumë lehtë. Është një ndeshje ku ne mund ta forcojmë pozitën tonë në ligë, andaj kjo është arsyeja se pse do të jemi tërësisht të fokusuar”, - ka thënë Venger. Trajneri francez i Arsenalit, beson se paratë që janë hedhur në futboll gjatë kohës së tij te Arsenali e kanë bërë lojën “më shumë dramatike dhe të tendosur”. Ai ka shpenzuar deri tani 13 vjet me “topçinjtë”, duke arritur suksese të frikshme dhe duke zhvilluar e shndërruar shumë lojtarë të rinj në superyje. Arsenali renditet në vendin e tretë në Premier Ligë gjatë këtij sezoni, një ndeshje më pak sesa Mançester Junatid i vendit të dytë, dhe një tjetër renditje në “top-katër”, duket më shumë se një mundësi. Në pritje të një përballjeje magjepsëse kundër Aston Villës së vendit të katërt, Venger shtoi: “Liga është bërë akoma më shumë profesionale, presioni akoma më i madh, financimet akoma më të mëdha, çka do të thotë se kualiteti i lojës është bërë akoma më i mirë. Të gjitha këto e kanë ndryshuar futbollin, në disa mënyra për më mirë dhe në disa të tjera paksa edhe në mënyrë negative. “Gjithkush është tani pak më shumë i tensionuar. Unë e përjetoja 13 vjet më parë humbjen më pak dramatike se tani, ka më shumë dramë dhe tension. Kjo është për shkak të parasë dhe Ligës së Kampioneve, që do të thotë se duhet të jesh në top-katër”.
Siti, pritet debutimi i Mançinit
Janë ezauruar të gjitha biletat për stadiumin e Mançester Sitit, ku sot do të debutojë për herë të parë trajneri i ri, Roberto Mançini. Për t’u njohur sa me shpejt me lojtarët e tij, ish-tekniku i Interit vendosi të zhvillonte dje një stërvitje që në orët e para të mëngjesit. “Jemi të gjithë profesionistë dhe duhet të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen kundër Stoke Sitit”, - deklaroi përpara takimit Mançini. Ai ka pranuar se ndjen presionet në arenën britanike, por shprehet optimist. “Nesër (sot) do të jetë një ndeshje e madhe”, - ka shtuar trajneri i ri i “Citizens”.
Benitez: “S’na lejohen hapa falsë”
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, ka pohuar se ndeshja e radhës kundër Volvesit është vendimtare dhe nuk u lejohet rezultat tjetër përveç fitores. Të kuqtë aktualisht janë në vend të tetë në renditje dhe kanë tetë pikë më pak se vendi i katërt. Liverpuli pret Volvesin këtë javë duke u përpjekur të lërë pas humbjen tronditëse kundër Portsmuthit 2-0. Benitez e di se tri pikët duhen marrë medoemos, nëse duan të mbajnë gjallë shpresat për një vend në katërshe. “Ne duhet të fitojmë. Çdo ndeshje duhet ta luajmë për ta fituar. Nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Këtë vit të gjitha skuadrat po humbin ndeshje. Ne kemi besim te loja jonë, sepse në pjesën e dytë të sezonit gjithnjë kemi ecur mirë. Kemi fituar shumë ndeshje radhazi dhe, nëse lojtarët janë në formë, do ta përsërisim këtë sukses. Duhet të jemi gati për këtë ndeshje. Nëse fitojmë, gjërat do të na lehtësohen, por mendoj se ndeshja kundër Aston Vilës më vonë do të jetë e fortë. Siti, Totenhemi dhe Vila po luajnë shumë mirë. Ne duhet të garojmë me to. Vjet, Vila bëri ndeshje të mira, por humbi disa prej tyre. Tani kanë shpenzuar edhe më shumë para dhe kanë bërë skuadër të mirë”,- ka thënë Benitez. Fernando Torres ka folur në mbështetje të trajnerit Benitez, duke thënë se lojtarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi në këtë situatë të vështirë për Liverpulin. Benitez këmbëngul se të gjithë në klub duhet të punojnë shumë për të përmbysur fatin e keq në “Anfield”. I pyetur për fjalët e Torresit, ai tha: “Nuk e di nëse i ka thënë apo jo. Ndodh të lexosh fjalë në shtypin e përditshëm, por kur flet me vetë lojtarët, del që nuk janë të njëjtat fjalë. Kam folur me të dhe disa lojtarë të tjerë. E dimë që duhet të luajmë më mirë. Disa herë kemi momente të mira dhe herë të tjera jo aq të mira. Por duke qenë skuadër e madhe e Anglisë duhet të jemi në përmirësim të vazhdueshëm. Ne jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje dhe duam të eliminojmë gabimet. Por, kur dalim në fushë dhe luajmë mirë, siç ndodhi kundër Arsenalit, na duhen edhe golat dhe mbyllja sa më parë e lojës. Ne nuk qemë aq të shpejtë për ta bërë këtë gjë, por do të jetë më e lehtë nëse fitojmë ndeshjen kundër Volvesit. Lojtarët po punojnë shumë në çdo seancë stërvitore dhe ju garantoj që do të japin 100% që të fitojnë ndeshjen”,- ka përfunduar Benitez.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2009