Radhë në zyrat postare Shpërblimi për pensionistët, edhe pas festave të fundvitit
Autori i Lajmit: RedaksiaPensionistët i janë drejtuar pikave të shpërndarjes së pensioneve për të marrë shpërblimin prej 2.500 lekësh të akorduar nga Qeveria, por shumë prej tyre janë kthyer në shtëpi pa e marrë këtë shumën e premtuar. “Nuk ka para, shpërblimin do ta marrësh pas vitit të ri”, kështu mu përgjigj punonjësja e zyrës postare, ku marr pensionin, shprehet Llambrinia, një pensioniste. Edhe pse Ministria e Financave vetëm pak ditë më parë u shpreh e gatshme ta përfundojë dhënien e shpërblimeve brenda këtij muaji, duket se kjo është e pamundur për shkak të radhëve të gjata që janë krijuar pranë pikave të tërheqjes së pensionit. “Ata pensionistet të cilët nuk do të arrijnë ta marrin shpërblimin prej 2500 lekësh brenda muajit dhjetor, do të mund ta tërheqin atë edhe pas Vitit të Ri pra në muajin janar, siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar”, bëjnë me dije burime zyrtare pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Po duke iu referuar ISSH-së, në të gjithë Shqipërinë pensionin së bashku me shpërblimin e kanë tërhequr 80.000 pensionistë, dhe pjesa tjetër e merr në janar. Bazuar në vendimin nr. 1216 të Këshillit të Ministrave, datë 16.12.2009 vazhdon shpërndarja e shpërblimit për festën e fundvitit për të 555 mijë pensionistët në të gjitha zyrat postare të filialeve të Postës Shqiptare.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2009