E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dushku, e merr “vizën” e shqiptarisë

Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 18:35

Aktorja e mirënjohur hollivudiane me origjine shqiptare Eliza Dushku, në ditën e saj të katërt në Shqipëri është pritur dhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.

Duke vlerësuar veprimtarinë artistike të saj, Topi ka nënshkruar dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare duke ia dorëzuar artistes pas kërkesës së bërë nga vete artistja Dushku.

Kryetari i Shtetit Shqiptar vuri në dukje se vizita e saj në Shqipëri është pjesë e atij mesazhi pozitiv që flet për Shqipërinë dhe shqiptarët si një popull vital, me tradita të hershme e kulturë të lashtë, me dëshirën dhe përkushtimin për të ecur përpara me vendosmëri e dinjitet.

Aktorja Dushku, po zhvillon një vizitë në vendin tonë lidhur me prodhimin e një dokumentari që do t’i shërbejë promovimit te turizmit tonë në botë.

Të pranishëm në takim ishin, gjithashtu, fotografi me famë botërore, Fadil Berisha si dhe aktori Blerim Destani.

Në axhendën e aktores së spikatur në kinematografinë botërore është një tur i cili do të zhvillohet në pothuajse disa nga qytet kryesore shqiptare duke filluar me Korçën, i cili është dhe vendi i origjinës së gjyshërve dhe babait të saj. Ky turë disa ditor do të vijojë edhe në Kosovë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›