E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dushku” i zgjedhjeve, Mediu doli deputet në bastionin e Berishës



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duhet të falënderojë kryeministrin Berisha jo vetëm për postin e ministrit të Mjedisit, por edhe për mandatin e deputetit që ai fitoi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndonëse nuk mund të quhet një “Dushk zyrtar”, Mediu e garantoi hyrjen në Kuvend vetëm falë një numri të madh votash që partia e tij ka grumbulluar pikërisht në zonën elektorale të kryeministrit Berisha, në KZAZ-në Nr. 59, që përfshin bashkinë e Kavajës. Sipas rezultateve të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Republikane ka fituar në këtë bashki 25% të votave që ajo ka grumbulluar në të gjithë qarkun e Tiranës. Gjatë fushatës elektorale nuk pati një orientim zyrtar të Partisë Demokratike në drejtim të votuesve të saj në Kavajë për të votuar Partinë Republikane, por gjithsesi, fakti që kjo parti arriti të marrë një numër të madh votash në këtë qytet, lë dyshime të forta se Mediu ka pasur mbështetje të madhe “nën rrogoz” nga aleati i tij, kryeministri Sali Berisha.

Votat e PR-së
Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia Republikane arriti të grumbullojë 6131 vota në qarkun e Tiranës. Nga këto, Partia Republikane arriti të fitojë 1525 vota në KZAZ-në Nr. 59 që mbulonte bashkinë e Kavajës, e njohur ndryshe jo vetëm si bastion i Partisë Demokratike, por edhe si zona elektorale e kryeministrit Berisha. Në këtë KZAZ Partia Republikane u rendit forca e tretë, pas Partisë Demokratike (8123 vota) dhe Partisë Socialiste (4484) vota. Nga 56 qendra votimi në këtë zonë, Partia Republikane është votuar në 46 prej tyre, madje në 5 qendra votimi Partia Republikane ka dalë forcë e dytë, duke lënë pas edhe Partinë Socialiste. Konkretisht, në Qendrën e Votimit Nr. 2125, Partia Republikane ka fituar 51 vota kundrejt 32 të PS-së, në Qendrën e Votimit Nr. 2172 (PR 81, PS 77), në Qendrën e Votimit Nr. 2175 (PR 65, PS 62), në Qendrën e Votimit Nr. 2181 (PR 42, PS 38) dhe në Qendrën e Votimit Nr. 2182 (PR 36, PS 20).

Mandati
Partia Republikane arriti të fitojë vetëm një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky mandat u fitua pikërisht në qarkun e Tiranës dhe atë e përfitoi kreu i kësaj partie, Fatmir Mediu, i cili kryesonte listën e PR-së në këtë qark. PR-ja arriti ta siguronte përfaqësimin në Parlament falë formulës “Saint Laguë”, e cila ishte formula e sanksionuar në Kod, që do të bënte përllogaritjen e mandateve të fituara brenda koalicionit. Partia Republikane ishte e vetmja forcë politike që siguroi një mandat deputeti në saj të kësaj formule në qarkun e Tiranës. Ky mandat rezultoi deciziv, pasi vendosi balancën 15 me 15 të mandateve të fituara nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në këtë qark.

Partia Republikane, e votuar në periferi

Ndonëse të vetmin mandat e ka fituar në qarkun e Tiranës, interesant është fakti se Partia Republikane ka marrë një rezultat shumë të dobët në qytetin e Tiranës. Në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, Partia Republikane ka marrë një numër modest votash, ndërkohë që kjo forcë politike rezulton shumë e votuar në KZAZ-të që përfshijnë provincat dhe zonat periferike të qarkut të Tiranës. Kështu, pas Kavajës, PR-ja ka marrë një numër të madh votash në bashkitë Kamzë dhe Rrogozhinë, si dhe në KZAZ-në që përfshin komunën e Paskuqanit. Konkretisht, në Kamzë, Partia Republikane ka fituar 987 vota, në Rrogozhinë 805 vota, ndërsa në Paskuqan 686 vota.

Emërimi i Mediut ministër, kontestime nga opinioni publik

Emërimi i Fatmir Mediut në postin e ministrit të Mjedisit në kabinetin e ri qeveritar u kontestua nga opozita dhe nga opinioni publik. Kreu i PS-së, Edi Rama, tha se me Mediun ministër, qeveria shqiptare mund të krahasohet me qeverinë iraniane, e cila ka në përbërjen e saj ministra të kërkuar nga Drejtësia. Ndërkaq, një grup analistësh dhe gazetarësh hartuan një peticion ku i kërkonin kryeministrit Berisha që të rishikonte vendimin për përfshirjen e Mediut në qeveri, duke qenë se ai akuzohej për tragjedinë e Gërdecit. Ndaj emërimit në qeveri të Mediut pati kontestime edhe nga zëra brenda Partisë Republikane. Presidenti i Nderit të PR-së, Sabri Godo dhe vajza e tij, ish-ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaruan se nuk ishin thirrur në mbledhjen e Kryesisë së PR-së, ku u diskutua dhe u vendos për emrin që do të përfaqësonte PR-në në kabinetin qeveritar.

PR, përfituesja e Dushkut në Parlamentin e kaluar

Partia Republikane ishte një ndër partitë kryesore që përfitoi nga fenomeni i Dushkut, që u aplikua në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Gjatë fushatës elektorale, partia kryesore e opozitës së atëhershme, Partia Demokratike, i orientoi votuesit e saj besnikë që në fletën e votimit ku votohej për partitë, të votonin për Partinë Republikane. Kjo bëri që Partia Republikane të siguronte në proporcional 11 deputetë, falë kësaj taktike zgjedhore që quhet edhe si fenomeni i Dushkut. Në këtë mënyrë, Partia Republikane kishte në Parlamentin e kaluar grupin e tretë më të madh parlamentar. Në përbërje të këtij grupi ishin deputetët: Fatmir Mediu, Arian Madhi, Lajla Pernaska, Alfred Gega, Artur Hasanbelliu, Besnik Bisha, Genc Sharku, Parid Teferiçi, Albert Faruku, Hajrullah Paturi dhe Ymer Tola.

Qendrat e votimit ku PR-ja doli forcë e dytë në Kavajë

Qendra e votimit PR PS

Numri 2125 51 vota 32 vota
Numri 2172 81 vota PS vota
Numri 2175 65 vota 62 vota
Numri 2181 42 vota 38 vota
Numri 2182 36 vota 20 vota

Votat e PR-së në qarkun e Tiranës

KZAZ Nr.45 Njësia Bashkiake Nr.1 142 vota
KZAZ Nr.46 Njësia Bashkiake Nr. 2 201 vota
KZAZ Nr. 47 Njësia Bashkiake Nr.3 93 vota
KZAZ Nr.48 Njësia Bashkiake Nr.4 154 vota
KZAZ Nr.49 Njësia Bashkiake Nr.5 206 vota
KZAZ Nr.50 Njësia Bashkiake Nr.6 324 vota
KZAZ Nr.51 Njësia Bashkiake Nr.7 134 vota
KZAZ Nr.52 Njësia Bashkiake Nr.8 241 vota
KZAZ Nr.53 Njësia Bashkiake Nr.9 138 vota
KZAZ Nr.54 Njësia Bashkiake Nr.10 101 vota
KZAZ Nr.55 Njësia Bashkiake Nr.11 94 vota
KZAZ Nr.56 Bashkia Kamzë 987 vota
KZAZ Nr.57 Bashkia Tiranë 300 vota
KZAZ Nr.58 Komuna Paskuqan 686 vota
KZAZ Nr.59 Bashkia Kavajë 1521 vota
KZAZ Nr.60 Bashkia Rrogozhinë 805 vota

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›