E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha fton Presidentin Obama të vizitojë Shqipërinë

Obama: “Kam përshtypjet më të mira nga shqiptarët e Çikagos”. Presidenti tha se do ta shikonte me kënaqësi mundësinë e vizitës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka deklaruar se gëzon përshtypjet më të mira për shqiptarët. Ai është shprehur në takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e 64-t të OKB-së, se ka njohur shqiptarë gjatë qëndrimit të tij në Çikago dhe se gëzon përshtypjet më të mira për ta. Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka shfrytëzuar rastin për ta ftuar Presidentin e SHBA-ve për të vizituar Shqipërinë duke i garantuar atij mbështetjen e plotë të popullit shqiptar për të dhe për SHBA-të në tërësi.
Ftesa
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në pritjen e dhënë nga presidenti amerikan, Barak Obama, për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive që marrin pjesë në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kjo pritje u zhvillua në orën 19:00 të mbrëmjes së të mërkurës në Metropolitan Museum of Arts në Nju Jork. Gjatë kësaj pritjeje, kryeministri Berisha pati rastin të zhvillonte një takim të shkurtër dhe të përzemërt me presidentin Obama dhe zonjën Obama. Kryeministri Berisha i shprehu presidentit Obama kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë pritje dhe për takimin e ngrohtë me presidentin Obama. Nga ana e tij, presidenti Obama e përshëndeti përzemërsisht kryeministrin Berisha dhe u shpreh se në Çikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ata mbresat më të mira. Kryeministri Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të presidentit Obama në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme për axhendën e tij. “Ju, zoti president, do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush, dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Presidenti Obama tha se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri. Zonja Mishel Obama gjithashtu u shpreh se ajo e priti me shumë kënaqësi këtë ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe se nga ana e saj do të nxiste bashkëshortin e saj që ta bënte këtë.
Takimet
Në pritjen e shtruar nga presidenti Obama dhe që zgjati rreth 2 orë, kryeministri Berisha u takua me kryeministrin e Japonisë, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e falënderoi atë për mbështetjen e Japonisë në fusha të ndryshme, si në arsim, në bujqësi, shëndetësi, infrastrukturë etj. Kryeministri Berisha e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë, ftesë që u pranua me kënaqësi. Një takim të përzemërt kryeministri Berisha pati gjatë darkës edhe me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare në Presidencën “Obama”, gjeneralin James Jones, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, si dhe mbi zhvillimet në Shqipëri. Kryeministri Berisha e ftoi gjeneralin Jones të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi me kënaqësi ftesën. Në këtë pritje, kryeministri u takua me kryeministrin e Holandës Balkenende dhe diskutoi me të rreth reformave të ndërmarra për integrimin e vendit në BE, kërkoi mbështetjen e Holandës në këtë proces, duke shprehur bindjen e tij se ky proces duhet bazuar në meritat dhe performancën për çdo vend. Një takim të ngrohtë, kryeministri Berisha zhvilloi edhe me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, me të cilin u ra dakord që me përpjekjet e përbashkëta të intensifikohen marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe të ketë shkëmbim të vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve. Në këtë pritje, kryeministri pati rastin të takohet edhe me Presidentin e Zvicrës, me atë të Panamasë dhe me shumë kryetarë shtetesh e qeverish të pranishëm.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›