E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Po na fshihen filmimet e procesit të numërimit të votave



Shaban Sulçe

Partia Socialiste deklaron se është penguar në kërkesën e saj për zbardhjen dhe transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Deputeti socialist, Ilir Beqja, tha se Partia Socialiste po pengohet të zbardhë të vërtetën në një nga qarqet kryesore ku ajo pretendon se është manipuluar dhe deformuar rezultati. Sipas Beqjes, bëhet fjalë për qarkun e Beratit, ku pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të PS-së në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, asaj i janë vënë në dispozicion vetëm 10% e filmimeve të bëra nga kamerat e vendosura gjatë procesit të numërimit të votave. “Në dy KZAZ filmimet janë vetëm për 10% të kohës së numërimit. Është fjala për Krujën dhe Beratin. Për Beratin ne patëm kërkuar edhe rinumërim të votave”, - theksoi ai. Beqja tha se ky është një tregues i qartë i mungesës së vullnetit të maxhorancës për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Deputeti socialist nënvizoi gjithashtu faktin se Partisë Socialiste i është mohuar vënia në dispozicion e kasetave edhe në 7 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve.

Pretendimi
Beqja tha se përfaqësuesit e maxhorancës gënjejnë opinionin publik kur deklarojnë se Partisë Socialiste i janë vënë në dispozicion të gjitha filmimet e bëra nga kamerat gjatë procesit të numërimit të votave. Sipas deputetit socialist, Partisë Socialiste i janë vënë në dispozicion filmime, të cilat nuk ofrojnë transparencën e kërkuar për zgjedhjet e 28 qershorit. “Kërkesës së përsëritur të Partisë Socialiste për të hetuar dhe zbardhur të vërtetën e këtyre zgjedhjeve përfaqësues të maxhorancës i përgjigjen me justifikimin se janë vënë në dispozicion të forcës tonë politike të gjitha filmimet e të gjithë procesit të numërimit të votave në Shqipëri. Edhe pse vendosja e kamerave dhe filmimi i procesit të numërimit u pa si një garanci shtesë për transparencë, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se sot, kur Partia Socialiste kërkon të bëjë transparencë mbi procesin e numërimit të votave, filmimet e vëna në dispozicion nuk ofrojnë asnjë mundësi për të bërë transparencën e kërkuar”, - tha Beqja.

Kasetat

Sipas Beqjes, deri sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar t’i japë PS-së kasetat për 7 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve. “Për 7 KZAZ, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri ditën e sotme, nuk i ka vënë në dispozicion Partisë Socialiste asnjë minutë filmimi. Bëhet fjalë për filmime të vendnumërimit të votave në Durrës, në Elbasan, Peqin, Fier, Kukës, Laç, në Njësinë Nr. 11 në qytetin e Tiranës. Por, edhe filmimet në qendrat e tjera që janë vënë në dispozicion janë të paqarta, pa orientime të sakta dhe shpesh të padeshifrueshme se për çfarë QV bëhet fjalë, duke e bërë krahasimin të pamundur. Fakti që edhe kjo garanci për transparencë nuk ekziston, konfirmon edhe njëherë jo vetëm drejtësinë e qëndrimit të opozitës, e cila mbështetet dhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it në të cilin thuhet së procesi i numërimit të votave në 1/3 e vendnumërimeve ka qenë “i keq ose shumë i keq”. Zbardhja e së vërtetës së 28 qershorit është dhe do të mbetet një kusht themelor për garantimin e demokracisë në vend”, - tha Beqja.

BOX
Rama takon ambasadorin e Suedisë në Maqedoni

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, Lars Freden. Takimi ka zgjatur për një orë, pa praninë e medias dhe është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste. Pas takimit, as Rama dhe as Freden nuk kanë dhënë prononcime për median, megjithatë, besohet se temat e bisedimeve kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit si dhe vendimi i Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin. Takimi mes ambasadorit suedez dhe kryetarit të PS-së Edi Rama merr një rëndësi të veçantë, pasi Suedia ka kryesimin e radhës të Bashkimit Europian.

Shamku, akuza Ministrisë së Arsimit: “Po zëvendëson gjykatën”

Partia Socialiste vijon të adresojë kritika të shumta në drejtim të Ministrisë së Arsimit në lidhje me përmbajtjen e librit të Historisë për klasat e 12-ta. Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, vuri në dukje një tjetër fakt skandaloz në këtë libër, ku shkruhet se tragjedia e Gërdecit ishte një aksident teknologjik, ashtu siç e ka cilësuar Partia Demokratike. Sipas Shamkut, Ministria e Arsimit jo vetëm që ka politizuar përmbajtjen e këtij libri, por ka marrë edhe funksionet e gjykatës, duke qenë se ka shpallur verdiktin për këtë ngjarje. “Kërkuam të hiqen menjëherë nga qarkullimi këto tekste antikombëtare, që nuk thonë as edhe një fjalë të vetme për 14 shekuj themelorë të historisë sonë, ndërkohë që rendin të japin gjykime deri edhe për shpërthimin vrastar të Gërdecit, duke e quajtur atë thjesht një aksident teknologjik. Pritëm reagimin e Ministrisë së Arsimit, si institucioni përgjegjës që duhet t’u garantojë djemve e vajzave tona cilësinë e një edukimi kombëtar e modern, në liri të plotë gjykimi, por Ministria e ‘epokës së re’ të Sali Berishës reagoi duke e mbrojtur tekstin në fjalë me një gjuhë po aq të rreme sa edhe argumentet e tekstit. Kështu pra, në këtë vend nuk po ka më institucione që bëjnë punën tyre, pasi Ministria e Arsimit ka marrë funksionet e Gjykatës, duke e shpallur ajo vetë verdiktin për shpërthimin e Gërdecit, për të cilin ende nuk ka folur drejtësia. Nuk po ka institucione, por thjesht shërbëtorë të zellshëm të neodiktatorit, i cili njëlloj si paraardhësi i tij, Hoxha, zgjedh ta instalojë diktaturën përmes manipulimit të historisë kombëtare dhe ta përhapë këtë manipulim përmes edukimit shkollor”, - tha Shamku, e cila në emër të PS-së kërkoi heqjen nga qarkullimi të këtij libri shkollor.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›