E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli përshëndet raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet në Shqipëri



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë seancës së djeshme përshëndeti dhe vlerësoi si objektiv, realist, shumë pozitiv raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. “Në emrin tuaj më lejoni të shpreh konsideratën, vlerësimin pozitiv dhe të përshëndes raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet, një raport objektiv, realist, shumë pozitiv, i cili ndoshta edhe më shumë se raportet e mëparshme thekson se zgjedhjet ishin një progres i qenësishëm, se procedurat e regjistrimit, të identifikimit të zgjedhësve, të adaptimit të një kuadri juridik të përmirësuar shënonin një progres të rëndësishëm”, - tha kryetarja Topalli. Duke u ndalur në disa nga çështjet më të rëndësishme të raportit të Këshillit të Europës, kryetarja e Kuvendit tha se rritja dhe përmirësimi i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një tjetër pikë e rëndësishme e këtij raporti. Duke cituar vlerësimin e Këshillit të Europës, ndër të tjera, Topalli u shpreh se raporti konstatonte se dita e votimit ishte e organizuar shumë mirë dhe se procedurat e votimit u vlerësuan mirë dhe shumë mirë në 93% të qendrave të votimit. “Në emrin tuaj, më lejoni të falënderoj të gjithë observuesit e huaj që kanë konkluduar në këto raporte, njëra pas tjetrës, të cilat flasin fjalët më të mira për 28 qershorin dhe për të gjithë periudhën para dhe pas 28 qershorit. Shfrytëzoj edhe njëherë rastin për të ftuar opozitën që të vijë këtu, të kryejë detyrën e saj, të bëjë një opozitë të fortë, një opozitë konstruktive, natyrisht, edhe për të bashkëpunuar me maxhorancën për projektet e mëdha të integrimit të kësaj periudhe”, - përfundoi kryetarja e Kuvendit.

Edmond Haxhinasto: “LSI-ja mbështet vlerësimet e Këshillit të Europës”

Kryetar i KDK-së së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, ka përshëndetur dje raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet në Shqipëri. Haxhinasto është shprehur se zgjedhjes sollën progres dhe ky progres së shpejti do të kthehet në lëvizje të lirë për shqiptarët në vendet e ndryshme të BE-së. “Në emër të LSI-së mbështes vlerësimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, së fundi edhe të Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës, institucioni që është gardian i standardeve demokratike dhe shtetit ligjor, mbi progresin e prekshëm të arritur në zgjedhjet e 28 qershorit dhe për rrugën e mbarë të reformave në të cilën po ecën Qeveria e Integrimit Europian dhe Shqipëria në përgjithësi. Ky progres do të përkthehet së shpejti me një arritje konkrete për qytetarët shqiptarë, siç është lëvizja e lirë drejt BE-së në mesin e vitit të ardhshëm”, - është shprehur kryetari i Komitetit Drejtues të LSI-së. “Është e rëndësishme të nënvizojmë kërkesat e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë që opozita t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Parlament për të dhënë kontributin e saj për reformat integruese, përfshirë edhe reformën zgjedhore në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë asnjë kontestim, nga asnjë forcë politike, e madhe apo e vogël qoftë ajo.
LSI-ja i bënë thirrje opozitës parlamentare të kthehet në Parlament dhe të marrë përgjegjësitë e saj përpara institucioneve demokratike, në mënyrë të veçantë përpara zgjedhësve. Zgjedhësit shqiptarë vërtet nuk i besuan PS-së maxhorancën qeverisëse, po i kanë besuar rolin e opozitës, rol që ajo duhet ta realizojë me përgjegjshmëri të lartë politike”, - është shprehur Haxhinasto.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›