E Diel, 1 Nëntor 2026

Revanshi i euros tremb ekonominë shqiptare, qytetarët rrezikojnë pasojat



Ervin KOÇI

Monedha e përbashkët europiane, euroja, ka marrë të përpjetën ditët e fundit në tregun valutor shqiptar duke u forcuar ndaj lekut më tepër se parashikimet e ekspertëve. Kjo situatë, e nxitur nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm ekonomikë, ka bërë që euroja të shkonte dje fare pranë kuotës së 140 lekëve në shkëmbimin me monedhën vendase. Një normë e tillë do të thotë jo vetëm zhvlerësim të monedhës vendase, por edhe një mori pasojash negative që prekin si ekonominë e vendit, ashtu dhe qytetarët shqiptarë.
Dje, më 24 shtator, një euro u ble në tregun valutor mesatarisht me 137,5 lekë dhe është shitur me 138,5 lekë, ndërsa një ditë më parë një euro blihej mesatarisht me 134,5 lekë dhe shitej me 135,1 lekë, duke pasur një forcim me 2,8 pikë brenda një dite dhe me 4,3 pikë gjatë javës së fundit. Ndërkohë, në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, një euro është blerë në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 123,7 lekë dhe është shitur me 124,2 lekë, duke pasur një forcim prej 13,6 pikësh. Në fillim të këtij viti, një euro blihej me 123,3 lekë dhe shitej me 123,8, ndërsa gjatë vitit të kaluar, euroja e kishte kuotën më të lartë të këmbimit ndaj lekut në muajin mars, kur blihej me 125,3 lekë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, forcimi artificial i euros që ka goditur dhe futur në panik tregun valutor vendas, është një situatë e pazakontë e pashënuar ndonjëherë. Sipas tyre, kjo është shkaktuar prej disa faktorëve, ku më kryesorët janë mungesa e masave mbrojtëse për monedhën vendase nga institucionet shtetërore, por dhe prej mungesës së sasisë së duhur të valutës në tregun vendas. E ndodhur para një situate të tillë, ekonomia e vendit dje ka frenuar aktivitetin për një moment, nisur dhe nga veprimet fare të ngadalta të qeverisë dhe institucioneve financiare që janë gjendur të papërgatitura përballë revanshit të euros.

Situata

Deri dje në mesditë agjentët kryesorë ekonomikë në vend, bankat dhe agjencitë e tjera financiare, bllokuan të gjitha transaksionet euro-lekë mes tyre duke preferuar të qëndronin në një pozicion pritjeje. Kursi i këmbimit në treg dje ishte gati fiktiv, pasi euroja u shit vetëm nga publiku, ndërsa institucionet financiare, si bankat dhe agjencitë e këmbimit valutor, vetëm grumbulluan pa e shitur euron, ose pranuan vetëm ta shisnin me një çmim shumë të lartë. Kjo diferencë e madhe, mes blerjes dhe shitjes sipas ekspertëve konfirmon faktin se tregu nuk është në një situatë normale. Tregtarët e valutave thonë se në treg po vihet re një mungesë e theksuar e euros. Sipas tyre, transaksionet janë pezulluar edhe në rrethet e tjera të vendit, të cilët janë furnizuesit kryesor të tregut valutor me euro. Por, sipas ekspertëve, më shumë sesa një raport kërkesë-ofertë në treg kjo goditje që pësoi tregu valutor këto dy ditë, më e forta e viteve të fundit, ngjan me një ngërç të krijuar nga paniku dhe pa shkaqe të vërteta ekonomike.

Guvernatori

Në një dalje publike në pikun e situatës së krijuar për shkak të vlerësimit të rrufeshëm të monedhës europiane, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u bëri thirrje agjentëve të tregut valutor që të qetësohen dhe të mos ndërmarrin veprime të nxituara në panik. Guvernatori Fullani është shprehur me tone të larta në mbrojtje të monedhës vendase. “Veprimet e kësaj jave kanë një kosto financiare individuale për ata që i ndërmarrin dhe kosto për ekonominë e vendit. Asnjë agjent ekonomik nuk është më i fortë se bazamentet e ekonomisë. Pasiguria në tregun valutor nuk ka asnjë bazë reale”,- u shpreh Fullani. Në kushtet kur monedha kombëtare po dobësohet me ritme shqetësuese, guvernatori Fullani u bën thirrje publikut dhe agjentëve të tregut të besojnë te monedha vendase. Ai tha se "dobësimi i lekut që po verifikohet ditët e fundit nuk justifikohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në treg, por nga faktorë psikologjikë dhe nga një rendje e tepruar e aktorëve të tregut drejt euros". Ai siguroi se leku do të vazhdojë të jetë monedha ku do të mbështetet ekonomia shqiptare për një kohë të gjatë, duke përgënjeshtruar mundësinë e futjes në përdorim të euros në afate të shkurtra. Sipas tij, ecuria e zhvillimeve në kursin e këmbimit duhet lënë i qetë nga agjentët tregtarë. Ndërkohë ai ftoi të gjithë agjentët ekonomikë të përfitojnë nga monedha kombëtare, leku, "e cila është një monedhë e suksesshme dhe shërben si spiranca e të gjitha veprimtarive për aderimin e Shqipërisë në BE". Dje në agjencitë e këmbimit valutor, reagimi i tregut ishte në rritje të kërkesës për euro dhe përshpejtim i ritmit të dobësimit të lekut. Euroja iu afrua dje vlerës rekord të 137.6 lekëve. Zhvillimet në kursin e këmbimit kanë detyruar njëkohësisht guvernatorin e BSH-së dhe ministrin e Financave të dilnin në të njëjtën ditë në mbrojtje të lekut, duke siguruar se monedha vendase është e besueshme dhe se nuk do të ketë një zëvendësim të saj me euron para hyrjes në BE.

Forcimi i euros rrit borxhin e Shqipërisë me 110 milionë dollarë

Fuqizimi i euros ka bërë që borxhi publik i Shqipërisë të rritet me rreth 110 milionë dollarë vetëm për këtë shkak, duke e bërë menjëherë një barrë shumë më të madhe nga sa ishte në fillim. Që prej janarit të këtij viti monedha europiane është bërë rreth 9% më e shtrenjtë kundrejt lekut vendas. Ajo që prej nisjes së këtij viti, muaj pas muaji, ka ardhur duke fituar pikë ndaj lekut dhe tashmë një euro blihet me 137,6 lekë dhe shitet me 138,5 lekë, çka është niveli i lartë i kapur ndonjëherë. Borxhi publik i Shqipërisë është 54% e prodhimit kombëtar bruto, ku borxhi jashtëm zë rreth 20% të këtij borxhi. Prodhimi kombëtar bruto është afërsisht 10 miliardë euro (9,8 miliardë saktësisht). Borxhi i brendshëm nuk ndikohet nga zhvlerësimi i lekut përballë euros, ndërsa borxhi i jashtëm është në euro dhe është pikërisht ai që është rënduar nga zhvlerësimi i lekut. Borxhi i jashtëm i vendit tonë është rreth 1 miliard euro në vlerë. Ai në të vërtetë në gjysmën e tij është në dollarë dhe në gjysmën tjetër në euro, por si vlerë e plotë është 1 miliard euro. Kjo do të thotë se zhvlerësimi i lekut me rreth 9% ka çuar në rritjen e drejtpërdrejtë të borxhit me këtë vlerë, e cila e bën atë rreth 110 milionë dollarë më të madh se sa ishte. Qeverisë shqiptare i duhet tashmë që të gjejë një zgjidhje për të lehtësuar barrën e tij të rritur, gjë cila është vërtet e vështirë, sidomos në kohën kur efektet e krizës ekonomike botërore kanë bërë që edhe të ardhurat në vend të ulen ndjeshëm. Qytetarët në Shqipëri kanë aktualisht për të pagur 110 milionë dollarë më shumë nga borxhi publik, vetëm për shkak të zhvlerësimit të monedhës kombëtare. Monedha europiane është fuqizuar ndaj thuajse të gjitha monedhave kryesore të huaja. Monedha euro është forcuar edhe ndaj dollarit apo paundit, ndonëse ndaj atyre në një përmasë pak më të vogël sesa ndaj lekut vendas. Është e qartë se monedha europiane është duke peshuar mbi lekun tonë dhe kjo gjë do të zgjasë duke e bërë gjithnjë e më të vështirë koston e borxhit, këstet e kredive të qytetarëve dhe çmimet e importit, të cilat mund të rriten. Qeveria thjesht mund të presë që Banka Qendrore të ndërhyjë duke hedhur euro në treg për të rritur ofertën në mënyrë që leku të bëhet më i fortë. Gjithashtu, qeveria mund të ndikojë nëpërmjet Bankës Qendrore që bankat e nivelit të dytë të mos japin kredi në euro në nivele të larta. Gjithashtu, qeveria mund të ndikojë që kompanitë e huaja që janë në vend të jenë më të kujdesshme, kur dërgojnë fitimet e tyre në euro jashtë Shqipërisë, pasi kjo rrit kërkesën për euro dhe e shtrenjton atë.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›