Nano: Do të kandidoj për kryetar bashkie, por nuk jam tërhequr nga gara për president
Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka deklaruar dje në një intervistë televizive se është i gatshëm të kandidojë për kreun e Bashkisë së Tiranës. Nano ka pohuar se ka planifikuar rikthimin e tij në jetën politike aktive dhe për këtë do të tentojë të konkurrojë në çdo hapësirë të mundshme, përfshirë edhe në garën për kryebashkiakun e Tiranës, në vitin 2011. Nano ka theksuar se nuk është tërhequr nga ambicia e tij për t’u zgjedhur president, por, nga ana tjetër, tha se kishte hequr përfundimisht dorë nga ideja për t’u rikthyer në drejtimin e Partisë Socialiste. Ai ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të kreut të PS-së dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ai e ka quajtur Ramën një masonik aventurier dhe, sipas tij, është shumë e nevojshme që dikush ta ndalë. Fatos Nano ka deklaruar se Edi Rama është përgjegjësi kryesor për humbjen e së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Ish-kryeministri lëshoi një deklaratë të fortë, teksa tha dje se ishte kërcënuar me jetë nga njerëzit e Edi Ramës. Sipas Nanos, kërcënimi ka qenë në celular menjëherë pas takimit që ai zhvilloi me Metën për bashkimin e së majtës, takim në të cilin u ftua edhe vetë Rama. “Kriminelë, njerëz të njohur të botës së krimit, të cilët janë pjesë e stafit të ngushtë të Edi Ramës, më kanë dërguar mesazhe kërcënuese. Ata më shkruanin se unë së bashku me Metën do të paguanim me kokë, sepse sipas tyre, po pengonim Ramën në rrugën dhe projektin e tij”, - tha Nano, i cili shtoi se për këtë mesazh kërcënues kishte vënë në dijeni edhe organet kompetente. Nano e cilësoi shumë të dëmshëm vendimin e PS-së për të bojkotuar Kuvendin, teksa shtoi se kushtet e vendosura nga PS-ja janë të paqarta. Ai tha gjithashtu se është një aventurë e dështuar dhe qesharake ideja për organizimin e protestave. Nano e cilësoi si farsë edhe garën për kreun e Partisë Socialiste. Ai u bëri thirrje anëtarëve të Partisë Socialiste që më 26 shtator të mos votojnë as për Ramën, as për Lakrorin, por të shkruajnë në fletën e votimit fjalën “jo bojkot”.
25 Shtator 2009