E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalët që faturojnë krizë



Përvoja ka treguar se kur politika fut hundët në menaxhimin ekonomik, sidomos në momente krizash, situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Një aksiomë e tillë është provuar dhe provohet qartësisht, si mos më mirë, në sistemin ekonomik shqiptar. Për shkak të brishtësisë së segmenteve të caktuara të ekonomisë, ndërhyrjet e politikës, në jo pak raste, i çojnë proceset jashtë hullisë.
Le të ndalemi në një detaj interesant të kohëve të fundit me tregun e bonove të privatizimit, të cilave ua kishim harruar edhe emrin. Kryeministri Berisha deklaroi se qeveria e tij do t’i fusë në përdorim për legalizimin e banesave bonot e privatizimeve. Vetëm me një deklaratë, ato copa letrash pa vlerë u pesëfishuan, duke arritur që të shkëmbehen në treg me të paktën 21 për qind. Gjatë kësaj periudhe ka qarkulluar një sasi e konsiderueshme bonosh privatizimi, por “larg qoftë”, nëse nuk do të bëhet ligj fjala e kryeministrit, apo nëse do të shtyhet më shumë se një vit futja e tyre në procesin e legalizimeve, do të jenë të shumtë ata që deri sot kanë menduar të bëjnë “biznes” me këto letra, që do t’u digjen në duar investimet e tyre.

E përmenda këtë rast jo për ta krahasuar një situatë të tillë me ndjeshmërinë e agjentëve të bursave amerikane ndaj ngjyrës së kollares së Grinspenit apo Bernakes, por për të rrëfyer artikulimin naiv, në mos koniunktural, të sjelljes së qeveritarëve tanë ndaj ndjeshmërisë së tregut tonë. Pjesë e kësaj shfaqjeje ishte edhe deklarata e kryeministrit Berisha para një paneli guvernatorësh, bankierësh dhe ekspertësh të tregjeve financiare. “Unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita kur ne duhet të dorëzohemi, - nuk do të vazhdojmë betejën me euron, - por duhet të përfshihemi në euro. Nuk na mbetet rrugë tjetër”, - tha kreu i qeverisë. Një frazë e tillë, qoftë sipas taksidarit të shefit të qeverisë, qoftë edhe sipas “xhandarit” të Bankës Qendrore, u reflektua në treg me shtim të kërkesës për blerje euroje. Për dy ditë monedha europiane kapërceu, duke arritur nivelin më lartë të katër viteve të fundit. Tregu i varfër i valutës u ronit më shumë vetëm me një deklaratë. Të dhënat e ditëve të fundit nuk flasin për ndërhyrje të qeverisë në tregun e brendshëm, apo ndonjë koniunkturë financiare: arritjen e euros në kuotën e 137 lekëve për momentin, të gjithë titullarët që merren me këtë punë ia dedikojnë llafit të kryeministrit.

Gjithsesi, një shfaqe e tillë në tregun e kursit të këmbimit nuk del jashtë procesit të tatëpjetës së monedhës tonë, e cila ka nisur të paktën tetë muaj më parë. Shpërdorimi tërësisht pa kriter i fondeve të buxhetit të shtetit në gjysmën e parë të vitit, kryesisht për qëllime elektorale dhe neglizhenca e pasojave të krizës financiare botërore mbi ekonominë tonë, ka bërë që sot të ndodhemi në momentet më kritike. Statistikat për gjendjen e depozitave dhe kredive në sistemin bankar, të raportuara nga Banka Qendrore, ulja e ndjeshme e dërgesave të emigrantëve, reduktimi drastik i eksporteve, apo paratë e thata për investime që janë derdhur në terren, përkundër asaj të shkruhet në letra e projekte, flasin qartë. Flasin vetë edhe buxhetet e sosura të familjeve shqiptare, të cilat e prekin krizën jo në mendjen e kryeministrit, i cili nuk ka arsye për të qenë në një kapsllëk të tillë financiar. Vetë ai është i mbrojtur, por qytetarët e tij sot rrezikojnë të bien pre e situatave, koniunkturave dhe presioneve që vërshojnë mbi ekonominë e madhe, apo ekonomitë e vogla të shqiptarëve.
Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, ministri i Financave deklaron publikisht se ekonomia shqiptare sot ka rritjen më të madhe ekonomike në të gjithë botën.
Deklarime të tilla të duken përralla me Sude e Xhaferrë kur sheh dhe lexon ato të dhëna që nxjerrin ekspertët apo institucionet e huaja. Sikur të ishte ashtu siç thuhet në shifrat e qeverisë, askush s’do të ankohej; asnjë firmë nuk do të shkonte për faliment në gjykatëm apo s’do të kishte shtim të papunësisë. Por tani fjalët e tyre jo vetëm janë të pabesueshme, por faturohen me dëme, përgjegjësinë e të cilave s’e mban askush.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›