Dushku iu kthehet serialeve

Me skenar të Bill Martin dhe Mike Schiff, do të vijë një serial televiziv që ka për inspirim komentuesin e sportit Colin Cowherd nga emisionin në radio ESPN, ku pritet të luajë edhe aktorja me prejardhje shqiptare, Eliza Dushku.
Në këtë komedi pritet të luajë edhe aktori Danny Comden.
Sipas Entetainment Weekly, Dushku do të luajë rolin e Casey. Aktorja me prejardhje shqiptare këtë lajm e ka bërë të ditur edhe në faqen e saj të Facebook’ut gjatë ditës së enjte.
“Është lajmi më i çmendur dhe më tmerrues që mund ta dëgjoni. Sapo kam marr një rol të ri në një pilot komedi të televizionit CBC me aktorin Damon Wayans! Qëndroni në linjë sepse seriozisht do të kënaqeni më të”, ka shkruar ajo.
Nga ana tjetër, revista “Deadline” ka shkruar së në këtë seri Dushku do të luajë një rol kryesor, i cili ka të bëjë me një emision sportiv në një radio që do të punohet me skenar të Bill Martin dhe Mike Schiff.
Deadline thekson se pilot seria është frymëzuar nga prezantuesi i radio ESPN, Colin Cowherd, “që ka pasur një emision debatues sportiv”. Roli kryesor në këtë serial është karakteri i Wayan’it, që paraqet karakterin me emrin Nick, i cili luan prezantuesin e dhënë pas sportit.
Dushku do të luajë përkrah Casey, që është edhe partnere e tij në prezantim e që paraqet një vajzë e cila prezanton shumë shpejt dhe është patologjikisht e padurueshme.
Dushku ka pasur një përvojë të madhe nëpër role dramatike në seriale. Ajo ka luajtur edhe në filmin “Buffy the Vampire Slayer”, “Angel”, “Tru Calling”, ndërkaq krejt në fund është paraqitur në sezonin e ri të filmit “Dollhouse”, filmi ky që është duke u shfaqur edhe në DigiPlus.
Sipas kritikëve, ky rol do të bëjë që ajo të luajë një rol krejtësisht ndryshe, edhe pse nuk do ta këtë vështirë të adaptohet në role komike, pasi ajo ka luajtur në role të këtilla. Përshkrimi i karakterit të saj është qesharak, sidomos kur ajo paraqitet si një grua ideale për ata të cilët adhurojnë sportin, duke e bërë personalitetin e saj shumë interesant.
Nga ana tjetër, televizioni CBC ka lajmëruar se ka nisur dy pilot projekte për seriale për këtë sezon. Ata janë “Bird Dog” dhe “The Rabbit Factory”.
Ndryshe, Dushku kishte shkruar një javë më parë një intervistë interesante, ku kishte folur për personalitetin e saj dhe edhe njëherë kishte theksuar se është krenare që është me prejardhje shqiptare.
Dushku edhe më parë ka bërë një tatuazh në qafë me flamurin kombëtar dhe kishte vizituar Kosovën e Shqipërinë.