E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopjet në provimet e maturës, ashpërsohen penalizimet

24/03/2011  Ministri Tafaj: Rregullat do të jenë më të forta

Ndryshe nga një vit më parë, gjimnazistët e vitit 2011 duhet të mendohen mirë para se të tentojnë të kopjojnë në provimet e maturës, kjo pasi rregullat këtë vit do të jenë më të forta. Kjo do të thotë se ata mund të rrezikojnë ndjekjen e studimeve të larta, në rast se gjatë testimeve do të kapen duke kopjuar. Sipas përcaktimeve të bëra, maturantët kopjacë në një provim nuk do të lejohen të hyjnë as në provimet e tjera e, për rrjedhojë, do të duhet të presin një vit stazh për t’u përfshirë sërish në garën për pranimet në shkollat e larta. Monitorimi më i rreptë ndaj kopjimeve do të tregohet veçanërisht në rrethe, pasi gjatë viteve të shkuara janë evidentuar edhe rastet që kanë kopjuar. Sipas kreut të Ministrisë së Arsimit, rregullat këtë vit do të jenë më të forta e transparente për të shmangur kopjet gjatë testimeve. “Nxënësit e kanë në dorë. Ne do kërkojmë që procesi të jetë i pastër, i ndershëm për të gjithë. Rregullat kanë qenë gjithmonë të njëjta, vetëm se do zbatohen plotësisht”, - u shpreh ministri Tafaj. Gjatë vitit të kaluar u evidentuan një grup i konsiderueshëm nxënësish që kishin kopjuar gjatë kohës së zhvillimit të testimeve. Konkretisht, sipas të dhënave të publikuara, rezultoi se ishin maturantët e disa rretheve që kishin kopjuar, ndërsa masat penalizuese u morën ndaj administruesve të provimeve. Ndërkohë këtë vit rregullorja e provimeve ka pësuar ndryshime të forta në drejtim të rritjes së cilësisë.

Kalimi i 4 provimeve detyrim

edhe për pranimet në universitetet private

Me ndryshimet e bëra në rregulloren e provimeve të këtij viti, maturantët duhet të mësojnë fort për t’u klasifikuar kalues në të katër provimet, në mënyrë që të fitojnë një të drejtë studimi në universitet. Ky rregull do të jetë kriter pranues edhe për universitet private. Gjatë viteve të shkuara mjaftonte që maturantët të merrte dy provimet e detyruara për t’u pajisur me dëftesën e shkollës së mesme, me të cilën pastaj mund të regjistroheshin pranë universiteteve private, në rast se nuk përzgjidheshin në fakultete publike nëpërmjet sistemit meritë-preferencë. Ndërsa në maturën e vitit 2011 procedura do jetë më e rreptë, pasi gjimnazi do të quhet i përfunduar vetëm në rastin kur maturanti pajiset me diplomën përkatëse. Kjo diplomë lëshohet vetëm pasi të ketë marrë nota kaluese në katër provimet, përkatësisht në dy provimet e detyruara, që do të zhvillohen në lëndën e matematikës dhe letërsisë e gjuhës shqipe, si dhe në dy provimet me zgjedhje të caktuara prej tij.

Mbarimi i shkollës së mesme konfirmohet me diplomën që lëshohet vetëm pas rezultateve kaluese në 4 provime

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›