E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 15% e çifteve kërkojnë këshillim për kontraceptivët

24/03/2011  Vëzhgimi i USAID-it farmacisti vlerësohet si personi i besuar për marrjen e informacionit

Pavarësisht punës së bërë, informimi dhe këshillimi mbi përdorimin e metodave kontraceptive në vendin tonë mbetet ende në nivele të ulëta, çka do të thotë se të flasësh për seksin dhe planifikimin familjar vijojnë të konsiderohen si tema tabu. Sipas një vëzhgimi të realizuar nga USAID-i nëpërmjet programit “C-Change”, në disa qendra shëndetësore jo vetëm të kryeqyteti, por dhe në Elbasan, Korçë, ka rezultuar se jo pak, por rreth 85 për qind e çifteve shkojnë pranë këtyre qendrave për të vizituar fëmijën. Ndërkohë që vetëm 15 për qind prej tyre kërkojnë këshillim mbi metodat kontraceptive, të cilat vijnë në ndihmë për parandalimin e shtatzënive të padëshiruara si dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Megjithatë, studimi tregon se rreth 96-98 për qind e të pyeturve në këtë anketim kanë marrë njohuri mbi metodat e kontracepsionit, ku një rol të madh përveç këshillimit nga pamfletet apo personeli mjekësor është bërë edhe në fushatat e realizuara në medie. Ndonëse ka treguar një përmirësim të situatës, vëzhgimi gjithashtu ka faktuar se shqiptarët ende përdorin metodat tradicionale për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara. Sipas studimit, farmacisti rezulton të jetë personi i besuar që të rinjtë preferojnë të marrin informacion në lidhje me metodat moderne kontraceptive që mund të përdorin. Po ashtu vëzhgimi tregon se dhe në qytet, ku niveli i informimit është i lartë, janë femrat ato që interesohen për të përdorur kontraceptivë, ndërkohë që meshkujt përdorin vetëm kondom, dhe kjo jo me qëllim parandalimin e shtatzënisë, por më tepër për t’u mbrojtur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. “Në zonat urbane përdorimi është i ulët, ndërsa në ato rurale është ende më i ulët. Metoda më e preferuar është ajo me injeksion. Pjesa tjetër për mbrojtjen ka të bëjë me arsimimin. Programi ynë ka si qëllim uljen e përdorimit të metodave tradicionale”, - deklaron Arian Boçi, drejtues i programit të USAID-it “C-Change”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›