E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy 12-vjeçarë vjedhin 12 mijë euro në Tiranë

 

Dy djemtë në moshë të mitur kanë mundur të thyejnë derën e një banese private në lagjen "Ali Demi" në Tiranë, ku kanë hyrë për të vjedhur. Madje nuk janë "ndarë" keq, kanë mundur të marrin në shtëpi kur nuk kishte njeri brenda, plot 12 mijë euro dhe një aparat dixhital. Sapo kanë kryer "misionin" e tyre kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendi ku vodhën shumën e madhe të parave, pa e ditur se ishin pikasur nga e zonja e shtëpisë, e cila në momentin kur po kthehej në shtëpi, ka parë dy fëmijë duke dalë me nxitim nga banesa e saj. Kur është afruar për t'u futur brenda ka parë të shkallmuar derën e jashtme të banesës dhe menjëherë ka lajmëruar policinë. Ajo ka denoncuar ngjarjen, duke treguar në Komisariatin nr.1 se kishte parë dy djem, që sipas pamjes së parë dukeshin që ishin të mitur, të cilët kanë qenë duke dalë me shpejtësi nga shtëpia e saj. Madje ka shpjeguar se kur ka kontrolluar për paratë që kishte lënë në banesë, nuk kishte gjetur shumën prej 12 mijë eurosh, gjithashtu edhe një aparat dixhital. Policia ka shkuar menjëherë për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku është konstatuar vjedhja me thyerje e banesës së denoncueses, pasi autorët kishin shkallmuar derën e jashtme. Në bazë të përshkrimeve që gruaja ka dhënë në polici, për dy djemtë që kishte parë duke dalë nga banesa e saj, oficerët e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes dhe shumë shpejt ata janë identifikuar. Madje, ata janë shoqëruar në Komisariatin nr.1, ku janë marrë në pyetje për disa orë. Sipas policisë autorët e vjedhjes së 12 mijë eurove janë dy 12-vjeçarë me inicialet A.Ç. dhe A.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›