E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Banda e Durrësit", tri vrasje nuk janë në gjyq

 

Armand Bajrami

I penduari i "bandës së Durrësit", Adriatik Coli, shkaktoi debate të ashpra dje te Krimet e Rënda, kur u shpreh se kishte dëshmuar në prokurori edhe për tre vrasje të tjera, veç atyre të treguara gjatë dëshmisë së tij në gjykatë. Në seancën e radhës në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të bandës, Coli tha se kishte dhënë shpjegime dhe për tre vrasje, të cilat nuk janë paraqitur në këtë proces nga Prokuroria. Ndërsa nuk është sqaruar nëse këto vrasje  kishin apo jo lidhje me të pandehurit në proces, përgjigjja "surprizë" e Colit shkaktoi debate mes avokatëve në sallë dhe përfaqësuesve të Prokurorisë. Avokatët kanë shprehur pretendimet e tyre duke pyetur përse këto dëshmi nuk bëjnë pjesë në dosjen e dorëzuar në gjykatë. Nga ana e tyre, prokurorët e çështjes kanë pohuar se për ato ngjarje nuk kanë lidhje me akuzat ndaj të pandehurve në procesin ndaj "bandës së Durrësit".
DEBATI
Ndërsa e ka mbaruar "rrëfimin" e tij si i penduar dhe bashkëpunëtor i drejtësisë seancën e kaluar, Adriatik Coli u paraqit dje përpara togave të zeza të Krimeve të Rënda për t'iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve. Burime pranë seancës me dyer të mbyllura për publikun sqaruan se situata ishte e qetë deri në momentin që njëri prej avokatëve pyeti të penduarin mbi dijeninë e tij për vrasjen e A. Kërtushës, D. Cenos dhe L. Kecit, ngjarje të ndodhura në vitet e "aktivitetit" të bandës. Mësohet se i penduari Coli ka pohuar se nuk kishte qenë në ato vrasje, por se dijeninë e tij për këto ngjarje e kishte shprehur para Prokurorisë. Sipas burimeve brenda në seancë, ka qenë ky momenti kur avokatët kanë reaguar ashpër për mospraninë e kësaj pjese deklarimesh në dëshminë e mëparshme të Colit. Të pyetur nga ana e kryesuesit të seancës, gjyqtarit Gurali Brahimllari, pro-kurorët e çështjes kanë pohuar se zotëronin pjesë të tjera deklarimesh nga i penduari, të cilat nuk ishin sjellë në proces. "I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli, ka dhënë shpjegime në lidhje me dijeninë e tij për ngjarje të tjera kriminale. Por deri në momentin që të pandehurit në procesin e të akuzuarve si anëtarë të 'bandës së Durrësit' nuk akuzohen për ato ngjarje, shpjegimet për to nuk mund të 'serviren' në sallë", mësohet të jenë përgjigjur përfaqësuesit e akuzës. Burimet bënë të ditur se gjykata pranoi pretendimin e pro-kurorisë, duke rrëzuar kërkesën e avokatëve për paraqitjen e kësaj pjese të deklarimeve në proces. Në vijim gjykata ndërpreu seancën me kërkesë të avokatëve, të cilët kërkuan kohë për t'i kërkuar këto deklarime në mënyrë zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›