E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmenët mohojnë dhënien e ryshfetit, pranojnë ndërhyrjen

Gjykata lë në burg tre zyrtarët dhe dy biznesmenët, njëri në “arrest shtëpie”. Tenderi i anuluar për veshjet e Gardës, Policisë së Burgjeve dhe Policisë Tatimore

U është dashur të japin 150 mijë euro për një tender që ishte anuluar, ndërkohë që në sallën e gjyqit janë munduar t’i mbrojnë sa të mundin tre zyrtarët e implikuar. Fakti për anulimin e tenderit konfirmohet nga burime brenda Ministrisë së Brendshme, të cilat shprehen se biznesmenët kanë paguar për një tender që ishte anuluar, ndërkohë që u është premtuar fitimi i tij. Vetë zyrtarët kanë mohuar akuzat për korrupsion para gjyqtares që caktoi masat në mungesë, ndërkohë që biznesmenët pranojnë vetëm faktin se kanë ndërhyrë për tenderat, por jo që u kanë dhënë ryshfet tre zyrtarëve. Madje, nga të akuzuar ata kanë kaluar në akuza ndaj policisë, duke deklaruar se punonjësit e policisë i kanë terrorizuar kur kanë ekzekutuar masat e arrestit, pasi kanë qenë me maska në kokë. Pasi ka dëgjuar palët, prokurorin Julian Xhengo me akuzat dhe provat që dispononte në ngarkim të gjashtë të akuzuarve, si dhe avokatët dhe vetë të akuzuarit, gjyqtarja Elona Gjoka la në fuqi masat e caktuara në mungesë, duke vlerësuar se nuk ka asnjë shkak për ndryshimin e tyre. Kështu, në përfundim të seancës së vleftësimit të masave të arrestit, gjykata la në burg tre zyrtarët dhe dy biznesmenët, ndërkohë që në “arrest shtëpie” ngeli vetëm biznesmeni i firmës “Sadiku”, Agur Sadiku. Tre zyrtarët dhe tre biznesmenët akuzohen për marrje ryshfeti në këmbim të dhënies së tenderit për uniformat e Gardës, Policisë së Burgjeve dhe Policisë Tatimore, duke përfituar shumën prej 150 mijë eurosh, ose e thënë ndryshe 5-10% të shumës totale të tenderit.

Hetimi

Grupi hetimor kishte rreth 4 muaj, konkretisht më 9 shtator të këtij viti, që kishte nisur nga puna për dokumentimin e aktivitetit kriminal të tre funksionarëve publikë. Nëpërmjet metodave speciale të hetimit, grupi hetimor arriti të siguronte prova të pakontestueshme për tre zyrtarët, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Në bazë të hetimit të kryer u vërtetuan veprimet korruptive të tre zyrtarëve, Bujar Murati, Redi Popescu dhe Tahir Imami, të cilët kanë favorizuar e përzgjedhur disa subjekte tregtare për t’u klasifikuar fituese në procedurat e prokurimit të datës 09.09.2009 me objekt “blerje veshjesh për disa institucione” me vlerë limit dhe “blerje këpucë”, duke përfituar 5% të shumës së fondit limit të përcaktuar për këtë tender. Sipas burimeve zyrtare, tre funksionarët publikë kërkonin ryshfet nga drejtuesit e firmave, nga 5% deri në 10% të vlerës së limitit të prokurimit. Fondi limit i vendosur ishte 175.034.194 lekë, që do zhvillohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme. Tashmë akuza e ngritur për tre zyrtarët është “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë që masa e arrestit është marrë në Gjykatën e Tiranës në mungesë. Gjithashtu, sipas grupit hetimor, pronarët e kompanive të favorizuara në tender, konkretisht shtetasit Artan Berberi, Agur Sadiku dhe Jani Gjergjefi dyshohet se u kanë ofruar shumën prej 125.000 eurosh shtetasve Bujar Murati, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme dhe Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit. Duke kryer një veprim të tillë korruptimi, ata kanë ndarë me marrëveshje të paracaktuar midis tyre fituesit e loteve të kësaj procedure prokurimi, duke eleminuar konkurrencën e shoqërive të tjera në mënyrë të padrejtë.

Operacioni

Operacioni policor i koduar “Prokurimi i fundit” është zhvilluar në orët e mbrëmjes së të martës, duke ekzekutuar masat e sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest shtëpie” të vendosura në mungesë nga Gjykata e Tiranës për tre zyrtarët dhe tre drejtuesit e kompanive të përfshira në aferat korruptive. Në këtë operacion u vunë në pranga 39-vjeçari Bujar Murati, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit të procedurave të Përqendruara të Prokurimit pranë Ministrisë së Brendshme; Redi Popescu, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit dhe 49-vjeçari Tahir Imami, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës. Ndërkohë që masa “arrest me burg” u zbatua edhe për 43-vjeçarin Artan Berberi, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, pronar i kompanisë “Malbertex” sh.p.k.; 49-vjeçarin Jani Gjergjefi, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë pronar i kompanisë “Gjergjefi” sh.p.k. Ndërkohë që ndaj 47-vjeçarit Agur Sadiku, lindur dhe banues në Berat, pronar i kompanisë “Sadiku” sh.p.k., u zbatua masa “arrest shtëpie”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›