E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy Koretë rifillojnë negociatat

Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut do të rifillojnë bisedat për të ringjallure kompleksin e përbashkët industrial, përkundër tendosjeve gjatë ditëve të fundit, për shkak të manovrave të ushtrisë veri-koreane, kanë njoftuar sot zyrtarët.

Përfaqësuesit e dy vendeve do të takohen në kompleksin në Kaesong, në Korenë e Veriut, për të vazhduar bisedat që u ndërprenë më 21 janar, ka njoftuar Ministria për Bashkim e Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut njoftoi gjatë fundjavës Seulin për pjesëmarrje në negociata, duke miratuar planin e delegatëve nga Jugu për të kaluar kufirin dhe për të shkuar në Kaesong.

Negociatat paraprake dështuan, për shkak të kërkesës së Phenianit që t’i rriten dukshëm pagat 42 mijë punëtorëve veri-koreanë, të cilët punojnë në 110 fabrika të Jugut në Kaesong, çështje kjo për të cilën Seuli ka refuzuar që të bisedojë.

Negociatat do të zhvillohen pasi që Koreja e Veriut shkrepi me qindra predha të artilerisë, në afërsi të kufirit të kontestuar detar mes dy vendeve.

Me këtë rast nuk kishte të lënduar, por Koreja e Jugut reagoi duke shkrepur në ajër në shenjë vërejtje. Kufiri detar, i tërhequr pas përfundimit të Luftës së Koresë, nuk është pranuar kurrë nga Koreja e Veriut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›