Pakistani heton raportet për vrasjen e Mehsudit
Ushtria e Pakistanit njoftoi sot se është duke hetuar raportet se shefi i talebanëve në Pakistan, Hakimullah Mehsud, është vrarë gjatë një sulmi me raketë nga një fluturake pa pilot e SHBA-së, sulm ky i cili është ndërmarrë nga mesi i janarit.
Vrasja e Mehsudit do të ishte një sukses i madh si për Pakistanin dhe për SHBA-në, e cila ka fajësuar Mehsudin për sulmin vdekjeprurës kundër agjentëve të CIA-s në Afganistan.
Më herët, televizioni shtetëror i Pakistanit, duke cituar disa burime anonime, raportoi se Mehsud ka vdekur në Orakzai, në veriperëndim të Pakistanit, pasi që ishte njoftuar se Mehsud është trajtuar në këtë rajon, pasi që është plagosur.
“Kemi disa raporte që po na vijnë. Ne po zhvillojmë hetime për të kuptuar se a janë këto informata të vërteta apo jo”, tha zëdhënësi i ushtrisë, gjenerali Athar Abbas.
Një pjesëtar i një fisi deklaroi se ka marrë pjesë në varrimin e Mehsudit, të enjten e kaluar, në rajonin e Mamuzait në Orakzai.
Zyrtarët pakistanez të inteligjencës theksuan se Mehsud është vënë më 14 janar në shënjestër të sulmit të fluturakes amerikane, duke nxitur spekulimet se ai është plagosur apo vrarë. Në shënjestër ishte vënë një takim i komandantëve luftarak, në rajonin Shaktoi në Vaziristanin Jugor.
Mehsud, i cili njihet si një militant i pamëshirshëm, mori përsipër kryesimin e talebanëve në Pakistan, pas vrasjes së paraardhësit të tij, Baitullah Mehsudit.
Para se të marrë përsipër kryesimin e talebanëve, Hakimullah Mehsud ka qenë komandant rajonal i talebanëve në Orakzai, Khyber dhe Mohmand.