E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si berlinezët qanë për filmin “Falja e Gjakut”

SHKRUAN: Diana Kolaj 07-03-2011 11:54

Ajo është 15 vjeç dhe tash flet si aktore profesioniste. Është aktorja kryesore e filmit “Falja e gjakut”, që fitoi “Ariun e Argjendtë” në Festivalin e Berlinit, për skenarin më të mirë. Por Sindi Laçej ka qenë gjithashtu edhe një ndër aktoret kandidate për “Ariun e Artë” në këtë festival, çka e rrëfen në intervistën e saj për MAPO-n

Keni interpretuar rol kryesor në një film që ka marrë pjesë dhe është nderuar në festivalin e Berlinit. A e keni patur ëndërr këtë apo erdhi rastësisht, duke qenë se jeni vetëm 15 vjeçe?

Ishte gjëja që kisha ëndërruar, ëndërroja kur shihja filma në TV dhe i thosha mamasë veç të shkoja një here në audicion, edhe sikur të më thonin nuk bën, veç ta provoja. Ishte një dëshirë e madhe, por nuk e imagjinoja se do më jepej një mundësi e tillë. Gjithçka ndodhi si një surprizë e bukur me Andamionin që erdhi në klasë dhe na zgjodhi fillimisht për pamje. Ishte radhë e madhe, unë isha numri 79, shkoi vonë dhe unë hyra përmes vajzave të tjera, të cilat reaguan, por unë hyra te dhoma ku bëheshin audicionet. Ditën tjetër skenaristi së bashku me regjisorin erdhën në shkollë, por unë isha e sëmurë dhe mungoja dhe u mërzita shumë, pasi mendoja se humba mundësinë që kisha ëndërruar. Më morën në telefon dhe më thane do vish në teatër, njoha regjisorin Joshua Marston dhe Tristanin, kemi bërë tri orë audicion, ishim 10 vajza, por regjisori më zgjodhi mua. Atë ditë jam argëtu shumë se kemi bërë gjëra të improvizuara. Regjisori të jepte bazën ku me mbështetë situatën dhe ti vazhdoje vetë me situatën e improvizuar, ku krijoheshin skena të ndryshme, përfshirë dhe humor. Kështu u bë realitet një ëndërr e fëmijërisë.

Kishit dëgjuar më parë për gjakmarrjen, temë mbi të cilën ngrihet filmi?

Kisha informacion sipërfaqësor dhe kur u njoha me skenarin, e ndieja të nevojshme të takoja familje në gjak, pasi duke qenë një vajzë nga qyteti me një realitet krejt ndryshe, Rudina (personazhi që unë luaj në film) në mendjen time nuk ekzistonte. Kemi shkuar dhe unë edhe Tristani në familje të ngujuara. Kam taku vajza që më kanë tregu përjetimet e tyre, vajza me një botë shpirtërore të pasur, por që përjetonin me padrejtësi një fatkeqësi të tillë, duke vuajtur pasojat e asaj që nuk e kishin bërë. Kështu Rudina mori formë, mori jetë, shtoheshin emocionet kur i takoja. Rudina u bë pjesë e Sindit që në ato momente ishte thjesht paraqitja e jashtme .

Çfarë të veçante mbani mend nga sheshi i xhirimit?

Përvoja nga sheshi i xhirimit ishte e jashtëzakonshme, që në ditën e parë. Regjisori është i tillë që dhe ne që ishim për herë të parë na bënte të ndiheshim rehat. E veçantë e filmit që e pashë në premierë, pasi aty e pashë për here të pare filmin, është një skenë me Tristanin, kur ishim në shtëpi dhe na gjuajnë me armë. Regjisori Joshua Martson na jepte shenjë me shuplakë dhe nuk na tregoi se do bëhej dubli i vërtetë, ne nuk e dinim dhe reaguam pas krismës së improvizuar krejt natyrshëm, duke u trembë dhe asgjë në film nuk ishte sforco. Ai nuk i qëndronte strikt skenarit, por merrte mendimin tonë, pyeste për ndonjë fjalë, se a thuhet kështu në Shkodër. Ai shtonte detaje që bëjnë diferencën me të gjithë filmat e tjerë, pikërisht në mënyrën sesi ai trajton tematikën.

Cilat janë planet e Sindit pas kësaj përvoje të fituar, përveç shkollës?

Aktualisht po shijoj suksesin e punës së bërë. Filmi është pritë shumë mirë në Berlin, mendoj se do të pritet mirë dhe në vendet e tjera. Shijoj të tashmen dhe shpresoj të vijë një surprizë e bukur si kjo në një të ardhme. Po pata ofertë të përshtatshme në film, si i Joshuasë, atëherë po. Pas kësaj prove, e kam forcuar dëshirën për aktrim.

Po festivali i Berlinit?

Berlini na ka mirëpritur. Shkuarja atje, qëndrimi dhe deri në kthim, ishte një film tjetër që nuk e kishim përjetu. Deri sa kam zbritë nga makina dridhesha, nuk arrija me mendu asgjë, inshalla nuk po rrëzohem. Kur hipa në tapetin e kuq m’u duk e thjeshtë, gjithçka më erdhi natyrale, sikur ta kisha bërë dhe herë të tjera. Kisha parë në TV, por ta përjetoje ishte gjithçka ndryshe. Filmi është i gjithi shqip dhe pamë reagimet e sallës që qante, në një kohë që shqipja nuk është një gjuhë shumë e folur në botë dhe kishim shqetësim nëse gjuha do ishte një pengesë, do arrinte të përcillte emocionet. Fytyrat e njerëzve në sallë na treguan se kishte sukses, pasi ngjalli emocione te publiku. U nominuam për “Ariun e Argjendtë”, për aktorin e aktoren më të mirë. Këto çmime u dhanë për një grup aktorësh meshkuj nga Irani dhe për një grup aktoresh femra po nga Irani, pra faktikisht nuk pati një aktor apo aktore më të mirë të festivalit. Në nominim ishin dhe aktorë të tjerë të mëdhenj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›