Dy aksidente, 7 të plagosur
KURBIN/ELBASAN – Plot 7 persona janë plagosur rëndë dje në aksidente rrugore të ndodhura në Kurbin dhe në Elbasan. Dy automjete u përplasën në aksin Laç-Milot ku mbetën të plagosur 5 udhëtarët e tyre, ndërsa kamionçina ku udhëtonin dy vëllezër doli nga rruga dhe ra në humnerë në segmentin Elbasan-Tiranë. Burime policore bënë të ditur se, aksidenti i parë ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së djeshme në afërsi të një pike karburanti në fshatin Mal Brazhdë të rrethit Kurbin. Mësohet se në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz” me targa TR 4631 I dhe një tjetër tip “Peugeot” me targa të huaja. Si pasojë e përplasjes janë plagosur rëndë udhëtarët e tyre Gëzim Gila, 24 vjeç, Arbër Kalemi 26 vjeç, Eri Islami 27 vjeç, Gjergj e Esmeralda Ndoj, babë e bijë, 60 dhe 20 vjeç. Të lënduarit janë dërguar fillimisht në spitalin e Laçit ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas për shkak të gjendjes së rëndë janë nisur në atë Ushtarak në Tiranë. Ndërsa aksidenti ku mbetën të plagosur Gerti dhe Kreshnik Gjonaj ndodhi rreth orës 14:00. Sipas dëshmisë së njërit prej tyre, gjatë një manovre parakalimi automjeti tjetër i ka penguar rrugën, çka ka provokuar daljen nga rruga të kamionçinës. Të lënduarit janë dërguar në spitalin e Elbasanit. Sipas policisë, shkak i aksidenteve të mësipërme ka qenë shpejtësia e madhe, si edhe moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor. r.n/a.k