Kukës, tritol ujësjellësit pasi i heqin nga puna
KUKES - I heqin nga puna, “hakmerren” duke i vënë tritol ujësjellësit. Kjo është pista kryesore në të cilën po heton policia e Kukësit, pas shpërthimit me lëndë plasëse të tubacionit kryesor që furnizon një pjesë të qytetit si dhe dy fshatra. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së dielës. Për pasojë, 8500 banorë mbetën për 24 orë pa ujë të pijshëm. Policia e Kukësit, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, bëri të ditur se shoqëroi tetë persona të dyshuar. Tre prej tyre mësohet se janë hequr nga puna pak kohë më parë në bazë të reformës që iu bë ujësjellësit. Ashtu sikurse në të gjitha qarqet e vendit, edhe në Kukës, ujësjellësi tashmë ka kaluar në varësi të bashkisë. Por kjo e fundit vendosi të bëjë një reformë për punonjësit e tepërt. Edhe në ujësjellësin e Lojmes u pa e arsyeshme të shkurtoheshin disa punonjës nga ana e bashkisë. Policia pohoi se, pas hetimeve paraprake rezultoi se në këtë ujësjellës janë shkurtuar nga puna tre punëtorë, kryesisht rojë. Pikërisht heqja nga puna, të cilën duket se ata e kanë konsideruar si një veprim të padrejtë, dyshohet se ka ndikuar që të vendosin të hakmerren e të hedhin në erë një pjesë të tubacionit. Sipas policisë, shpërthimi është bërë në një zonë të pabanuar. Lënda plasëse, e saktësuar si tritol ka dëmtuar gati dy metra tubin, duke lënë pa ujë një pjesë të Kukësit si dhe fshatrat, Kodra e Lumes dhe Shtiqen. “Nga shpërthimi është dëmtuar mbulesa prej alumini e tubacionit me diametër 30 cm dhe tubacioni plastik që përcjell ujin. Vendi i shpërthimit është mjaft favorizues sepse në këtë pikë tubacioni është i ngritur mbi lumë në një urë të improvizuar”, bëjnë të ditur burimet policore. Të njëjtat burime shtojnë se, e hedhin poshtë pistën e shpërthimit për shkak të problemeve të pronësisë. Kjo pasi problemi i pronësisë është zgjidhur që në kohën që u ndërtua ujësjellësi. j.h