Kryetari i Gjykatës së Tiranës i kërkon KLD-s një ndihmës
Laureta RRYÇI
TIRANË - Kryetari i Gjykatës së Tiranës i ka kërkuar nëpërmjet një shkrese zyrtare Këshillit të Lartë të Drejtësisë, emërimin e një ndihmësi. Ndarja e kësaj gjykate në dy godina, dhe mbingarkesa e dosjeve duket se ka detyruar Artan Zenelin të bëjë këtë kërkesë. Sipas burimeve zyrtare nga institucioni i KLD-së, Këshilli pasi diskutoi në lidhje me problematikat e drejtimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shkak të ndarjes në dy dhoma gjykimi, të cilat ushtrojnë veprimtarinë në dy qendra të ndryshme, sipas shkresës së dërguar nga Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nr. 3244 prot., datë 09.07.2010, në përfundim vendosi të autorizojë Kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili nëpërmjet një urdhri të brendshëm, të caktojë një gjyqtar në dhomën penale për të ndihmuar kryetarin në drejtimin e gjykatës.
Kërkesa
Vetëm pak ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës ka vendosur t’i shkruajë KLD-së për situatën e krijuar muajt e fundit në gjykatën që ai drejton. Sipas tij duket se është kthyer në një situatë problematike drejtimi në të njëjtën kohë i dy dhomave penale dhe civile të cilat janë të ndara me vendim të Ministrisë së Drejtësisë në dy objekte larg njëri-tjetrit. Kryetarit duke qenë se i duhet të bëjë verifikimin e mëngjesit për prezencën e gjyqtarëve, procedurat e shortit elektronik e shumë detyra të tjera, ndarja në dy godina e ka vështiruar këtë proces.
Vendimi
Shkresa ka mbërritur tashmë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe sipas burimeve është diskutuar në mbledhjen e fundit që zhvilloi ky Këshill. Anëtarët e Këshillit e kanë kuptuar kërkesën e kryetarit dhe kanë rënë dakord që kryetari të përzgjedhë një nga gjyqtarët e dhomës penale si ndihmësin e tij. Po kështu anëtarët e KLD-së, kanë rënë dakord që grupi përkatës i punës, i përbërë nga anëtarët Artan Gjermeni dhe Neshat Fana, si dhe Kryeinspektorja Valbona Vata, do të hartojnë rekomandimet konkrete të këtij urdhri, të cilat do t’i përcillen më pas Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
22 Korrik 2010