E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedura e re e seleksionimit të kandidatëve nga shkolla e Magjistraturës



Laureta Rryçi - Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës përcakton rregulla të reja për kandidatët që do i nënshtrohen konkursit për këtë vit akademik. Gazeta “Albania” po publikon vendimin e plotë që përmban të gjitha ndryshimet krahasuar me konkursin që u zhvillua një vit më parë. Në këtë vendim përcaktohen me detaje kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, dokumentet që duhen dorëzuar, rregullat e konkursit si dhe procedura që do të ndiqet për vlerësimin e testeve. Në vendim thuhet se Këshilli Drejtues i Shkollës vlerësoi që në vitin akademik 2010-2011 të shtohet edhe një element tjetër sigurie. Më parë, përzierja nuk bëhej në prani të kandidatëve por bëhej nga administrator i provimit. Gjithsej janë katër kuti: 2 kuti për Testin e Inteligjencës që sekretohet veçmas pas mbarimit të pjesës së parë të provimit) dhe 2 kuti për Testin Profesional. Ndërsa për procedurën e animimit, kandidatët kanë të drejtë të shikojnë fletët me vlerësimin e tyre dhe të ankohen në Drejtorinë e Shkollës, e cila i përcjell në Këshillin Drejtues. Gjatë vitit akademik 2009-2010 konkurruan 200 persona për 12 vende (8 gjyqtarë dhe 4 prokurorë) dhe nuk pati asnjë ankim për mënyrën e zhvillimit apo vlerësimit të provimit. Ndërsa këtë vit, sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, konkurrohet për tetë gjyqtarë.
Provimi
Program i pyetjeve përbëhet nga dy teste: Testi i Përgjithshëm (që ka një Test Inteligjence, një Ese dhe një Test të
Etikës, Komunikimit dhe Sjelljes Qytetare 1) dhe Testi Profesional, (që ka pesë pyetje teorike nga fushat më të rëndësishme të së drejtës dhe dy kazuse praktike). Koha e kryerjes dhe mënyra e organizimit të provimit. Provimi zhvillohet vetëm me shkrim dhe është i ndarë në dy pjesë nga të cilat pjesa e parë, me Testin e Përgjithshëm, zgjat nga ora 9.30 A.M deri në orën 12.00 A.M. Mbas një pushimi prej 60 minutash, administrohet Testi Profesional, i cili zgjat 4 orë. Konkursi i pranimit në
Shkollën e Magjistraturës realizohet afërsisht gjatës javës së dytë të muajit Shtator.
Kriteret
Kriteret e pranimit të kandidatëve për regjistrim janë: diplomimi si jurist me program katër ose pesë vjeçar, me diplomë DIND ose ekuivalente me të, nota mesatare mbi 8, gjendja e pastër gjyqësore, raport mjekësor i aftësive shëndetësore, etj. Mbas regjistrimit të kryer nga kandidatët, Shkolla administron provimin në ambientet e Pallatit të Kongreseve duke ndjekur një
procedurë testimi shumë transparente, serioze dhe anonime. Kjo mund të shihet edhe nga vetë procedura e realizimit dhe administrimit konkret të testit. Shkolla para futjes së kandidatëve në sallë realizon një identifikim të dyfishtë të dokumenteve të identifikimit të kandidatëve (tek hyrja për
në sallën e provimit dhe më pas në vendet e tyre ku janë ulur kandidatët). Sigurimi i Anonimatit. Mbas sistemimit të kandidatëve nëpër vendet e tyre përkatëse, shpërndahen dy zarfe, një zarf të madh dhe një zarf të vogël. Zarfi i madh mban fletët
ku do të zhvillohet provimi, rregulloren e provimit dhe një stilolaps. Zarfi i vogël mban një fletë të bardhë, tek e cila do të shkruhet me germa kapitale emri i kandidatit. Mbasi kandidati shkruan emrin, e palos fletën dhe mbyll zarfin, i cili vuloset në vend nga sekretaria e Shkollës dhe mbahet në tavolinë.
Formimi i tezës
Shkolla e Magjistraturës ka një fond prej gati 600 pyetjesh/tezash, të cilat futen në 10 zarfe. Për shembull, 100 ese në një zarf, 50 teste inteligjence në një zarf, 100 kazuse civile në një zarf, 100 kazuse penale në një zarf etj. Ditën e provimit për çdo zarf, që përmban tezat e një fushe, zgjidhen pyetjet e provimit në mënyrë rastësore nga kandidatët në sallë që dalin vullnetarisht për të tërhequr një tezë. Pyetjet lexohen
publikisht para kandidatëve, të cilët i mbajnë shënim në bllokun e madh. Testi i inteligjencës dhe kazuset fotokopjohen për të gjithë kandidatët pasi u janë dhënë dhe shënuar nga kandidatët referencat e vendimit gjyqësor nga është marrë kazusi praktik,
etj. Monitorimi dhe Survejimi i kandidatëve gjatë provimit bëhet nga një ekip miks të përbërë nga monitorues të huaj dhe vendas, jo juristë. Në vite në këtë proces kanë asistuar përfaqësues nga Këshilli i Evropës, OSBE, Pameca, Euralius, GTZ, etj.

box
Sekretimi dhe kodimi i zarfeve
Mbas përfundimit të zhvillimi të përgjigjeve, blloqet me përgjigjet futen në zarfin e madh, i cili mbyllet dhe vuloset në vend nga sekretaria e shkollës, duke u vendosur në anë të tavolinës së çdo kandidati i kapur me një kapëse me zarfin
e vogël. Në vitin akademik 2009-2010, u përdor për herë të
parë një element shtesë sigurie. Përzierja dhe sekretimi i zarfeve u bë në prani të kandidatëve në mënyrë që të shmangte mundësinë e identifikimit të numrit të sekretimit nga vendi ku ishte ulur kandidati. Pas përzierjes që bëhet nga njëri nga
kandidatët që del vullnetarisht, një person i ngarkuar nga Administratori i provimit (që është si rregull Drejtori i Shkollës) vendos një numër të njëjtë në të dy zarfet që i
përkasin një kandidati të caktuar3. Zarfet më pas ndahen në mënyrë të tillë që zarfet e vegjël futen në një kuti të veçantë dhe të mëdhenjtë në një kuti të veçantë. Pra, është një kuti me zarfet e vegjël, të cilët mbajnë emrat e kandidatëve dhe një kuti më të madhe me zarfet e mëdhenj, në të cilët ndodhen përgjigjet e testeve të zhvilluara nga kandidatët në provim. Ruajtja dhe mbajtja e kutive. Kutitë e provimit dërgohen për ruajtje dhe
transparencë në selinë e një partneri ndërkombëtar të Shkollës së Magjistraturës. Ndër vite për këtë qëllim Shkolla ka bashkëpunuar me Institucione shumë të Nderuara si Këshilli i Evropës, Pameca dhe së fundi Misioni Euralius II, ndihma e të cilëve ka
mundësuar të ruhet anonimati dhe transparenca e procedurës së përzgjedhjes. Komisioni i vlerësimit të përgjigjeve, po atë ditë që zhvillohet provimi hyrës, pas përfundimit të tij, në një mbledhje të Këshillit Drejtues të Shkollës, caktohen dhe
anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të përgjigjeve të provimit të përbërë nga pesë anëtarë të cilët propozohen nga Drejtori i shkollës nga radhët e pedagogëve të brendshëm dhe
të jashtëm në varësi të pyetjeve që kanë rënë. Komisioni nuk bëhet publik.

box
Korrigjimi dhe vlerësimi
Të nesërmen e zhvillimit të provimit, Komisioni mblidhet në Shkollë për të filluar korrigjimin e fletëve të provimit. Një përfaqësues i Shkollës së Magjistraturës shkon dhe merr në dorëzim nga Institucioni Ndërkombëtar (mbajtës i të katër kutive të provimit) vetëm kutitë e mëdha me fletët e zhvillimit të provimit, për t’ia vënë në dispozicion Komisionit të Vlerësimit. Vlerësimi zhvillohet në një sallë të mbyllur në Shkollën e Magjistraturës nga Komisioni i Vlerësimit në prani të një përfaqësuesi të Shkollës së Magjistraturës. Secili anëtar
vlerëson përgjigjet e një fushe në mënyrë të pavarur nga anëtarët e tjerë. Në përfundim të çdo dite vlerësimesh, kutitë e mëdha me fletët e provimeve shkojnë për ruajtje në selinë e institucionit ndërkombëtar, partner i Shkollës. Një nga risqet e kësaj faze është përdorimi i shenjave në shkrimin e përgjigjeve që do të ndihmojnë në identifikimin e përgjigjeve nga komisioni. Për të shmangur këtë, çdo anëtar komisioni mban shënim çdo shenjë që i sjell dyshime tek pyetja e tij dhe në fund të ditës diskutohen nga komisioni në prani edhe të Drejtorit të Shkollës për t’u skualifikuar nga korrigjimi. Me mbarimin e vlerësimit çdo anëtar dorëzon pikët për çdo numër sekretimi të pyetjes që ka korrigjuar dhe bëhen mbledhjet e të gjithë pikëve. Shkolla bën publike për kandidatët rezultatet e korrigjimit me pikët për çdo numër sekretimi. Korrigjimi shkon deri në tre-katër ditë. Pas daljes së rezultateve, njoftohen kandidatët që të mblidhen në një sallë dhe vijnë kutitë me zarfet e vegjël të emrave (që nuk kanë dalë
asnjë herë nga dita e provimit nga selia e institucionit ndërkombëtar. Në këtë moment zhvillohet procedura e përputhjes së numrave me emrat për të mësuar renditjen e kandidatëve sipas pikëve. Një përfaqësues i institucionit ndërkombëtar sjell në Shkollë kutitë që mbajnë zarfet e vegjël me emrat e kandidatëve. Në një sallë të Shkollës së Magjistraturës zhvillohet në prani të kandidatëve të provimit hyrës procedura e hapjes së zarfeve të vegjël për të mësuar emrat e fituesve duke lexuar me zë të lartë emrat e pjesëmarrësve. Radhitja e rezultateve përfundimtare sipas hierarkisë së pikëve bëhet po atë ditë mbas një intervali përgatitës prej 2 orësh dhe shpallen të afishuara. Në një
mbledhje të Këshillit Drejtues shpallen me Vendim fituesit në varësi të numrit të vendeve vakantë të shpallur në muajin korrik nga KLD dhe Prokurori i Përgjithshëm.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›