E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Shërbim 24-orësh për të parandaluar aksidentet

Aksidentet e 48 orëve të fundit, me pasojë vdekjen e 7 personave dhe plagosjen e 11 të tjerëve, kanë vënë në alarm policinë e Durrësit. Drejtori i kësaj policie, Ilia Nasi, ka lajmëruar nisjen e shërbimeve 24-orëshe për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda. "Akset kryesore të rrugës do t‘i mbulojmë me shërbim të pandërprerë, mbështetur edhe në mjetet që kemi në dispozicion", u shpreh drejtori i Policisë së Durrësit, Ilia Nasi. Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit, të shoqëruara me një numër të lartë viktimash në rrugë dhe në det, kanë detyruar kreun e policisë, Nasi, të tërheqë vëmendjen e opinionit publik për rritjen e përgjegjshmërisë, veçanërisht gjatë qarkullimit në rrugë dhe zbatimit të rregullave, si dhe të deklarojë mbi masat e marra deri tani. Drejtimi i automjetit tej normave të lejuara të shpejtësisë, përdorimi i pijeve alkoolike nga shoferët dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore prej tyre janë shkaqet kryesore të tragjedive më të fundit në superstradën Tiranë-Durrës dhe të tjera aksidente të ndodhura në rrugët e rrethit bregdetar në këtë sezon të ngarkuar turistik. Prandaj, Nasi ka kërkuar më shumë përgjegjshmëri gjatë lëvizjes në rrugë, si nga drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe nga këmbësorët. Ai ka vënë theksin te mospërdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të automjeteve, respektimi i normave të shpejtësisë, respektimi i këmbësorëve në rrugë, respektimi i sinjalistikës rrugore. Ndërkaq është pyetur edhe për masat e marra mbi situatën në det, pasi prania e motorëve të ujit ka shkaktuar pasiguri te pushuesit në plazhin e Durrësit. Ditën e diel, policia e këtij qyteti, në bashkëpunim me atë të kufirit, deklaruan se kanë bërë bllokimin e shtatë motorëve të ujit, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e incidentit në det, si pasojë e të cilit humbi jetën një pushues kosovar. Kreu i policisë tha se tashmë policia ka një person të dyshuar, një autor të mundshëm për atë ngjarje, por që për arsye hetimi nuk mund të bëhet publik emri i tij. Policia dhe prokuroria po bashkëpunojnë ngushtësisht për dokumentimin e kësaj ngjarjeje dhe ndalimin e të dyshuarit. Ndërkaq, janë intensifikuar patrullimet me shërbime policore në tokë, ndërsa drejtoria e kufirit me shërbime në det.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›