Përgjaket sërish autostrada. 2 të vdekur, 6 të plagosur
Përgjaket sërish superstrada Tiranë-Durrës. Ende pa kaluar 24 orë, në të njëjtin aks rrugor humbin jetën dy persona dhe 6 të tjerë mbeten të plagosur. Të gjithë të aksidentuarit ktheheshin me të njëjtin automjet nga një dasmë drejt Kamzës, por nuk kanë mundur të mbërrijnë të gjithë në shtëpi. Pa kaluar ende 24 orë nga aksidenti ku humbën jetën 5 persona dhe u plagosën 3 të tjerë, një tjetër automjet me familjarë që ktheheshin nga dasma ka dalë nga rruga si rezultat i shpejtësisë, duke u përplasur me bordurën. Për pasojë kanë humbur jetën 2 persona dhe janë plagosur 6 të tjerë. Viktimat e aksidentit ishin të gjithë me origjinë nga Kukësi dhe kryesisht me banim në Kamzë të Tiranës. Ka qenë ora rreth 01:20 e ditës së hënë, kur në afërsi të Maminasit, Din Çuni, 54 vjeç, me banim në Kamzë, duke drejtuar automjetin fuoristradë të tipit "Land Rover", me targa të huaja S696VWB, ka dalë jashtë rruge dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit: Kadri Brahaj, rreth të 70-ve dhe Valbona Metaj 40 vjeçe, me banim në Kamzë. Ndërkohë janë aksidentuar dhe ndodhen në spitalin e Durrësit drejtuesi i automjetit, Din Çuni, Mydajet Ringaj 52 vjeç, Feride Ringaj 38 vjeçe, Saimir Metaj 15 vjeç, të katërt me banim në Kamzë, si dhe Hajrie Dezhani, 53 vjeçe dhe Ermal Brahaj 20 vjeç, të dy nga fshati Bicaj i Kukësit. Fuoristrada me 8 personat që u përfshinë në aksident udhëtonte drejt Tiranës pas mbarimit të një dasme, që po bëhej në një nga lokalet e fshatit Xhafzotaj në Durrës. Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak ka qenë shpejtësia e madhe me të cilin udhëtonte 54-vjeçari dhe humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit. Burimet policore bëjnë të ditur se do të merret masa e ndalimit ndaj drejtuesit të automjetit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Bilanci i aksidenteve rrugore në këtë superstradë, por dhe në rrugën në hyrje të qytetit bregdetar, ka qenë tejet tragjik. Brenda 24 orëve të fundit kanë humbur jetën në aksidente shtatë persona dhe janë plagosur 11 të tjerë. Të plagosurit ndodhen të shtruar në spitalin rajonal të Durrësit dhe atë Ushtarak në Tiranë, ku po trajtohen nga mjekët. Ndërkaq, për to janë ndaluar 3 drejtues automjetesh, ndërsa ka mbetur ende i paidentifikuar drejtuesi i mjetit që aksidentoi një grua 37- vjeçare, e cila vazhdon të jetë në gjendje të rëndë për jetën.