LSI: Të rritet siguria në rrugë, po ndodhin shumë aksidente
LSI-ja ka shprehur dje shqetësimin e saj në lidhje me numrin e madh të aksidenteve që po ndodhin çdo ditë në rrugët e vendit. LSI-ja ka theksuar se "siguria e jetës së qytetarëve në rrugët e Shqipërisë është e kërcënuar prej mungesës së zbatimit të rregullave të qarkullimit dhe trafikut të dendur". LSI u bën së pari apel pushuesve shqiptarë që udhëtojnë në këto ditë të nxehta, dhe në veçanti emigrantëve shqiptarë që janë kthyer në atdhe për pushime, të tregojnë kujdes maksimal në rrugë, duke respektuar rregullat e qarkullimit dhe duke iu përmbajtur kufijve të shpejtësisë, në mënyrë që të minimizohen shanset e aksidenteve vdekjeprurëse. LSI-ja ka inkurajuar forcat e policisë rrugore dhe ato të ndihmës së shpejtë të tregojnë gatishmëri më të lartë dhe efikasitet në ushtrimin e detyrës, duke u siguruar për zbatimin e rregullave të qarkullimit prej motoristëve, për marrjen e masave ndëshkimore ndaj shkelësve të ligjit pa toleruar asnjë rast, si dhe për dhënien në kohë të ndihmës së shpejtë, në mënyrë që probabiliteti i humbjes së jetës për të aksidentuarit të reduktohet në maksimumin e mundshëm. Për LSI-në, siguria e jetës së qytetarëve shqiptarë është një çështje themelore e programit të saj elektoral.