Burgaj: Do e mbështesim punën e sindikatës për mbrojtjen e policëve
Kreu i policisë i premton sindikatës se do e mbështesë në punën e saj për mbrojtjen e interesave të uniformave. Këtë e ka deklaruar gjatë një takimi me delegacionet e sindikatës së Kosovës dhe atë të Malit të Zi, që kishin ardhur për një vizitë dyditore në Tiranë me ftesë të Sindikatës së Policisë Shqiptare. Delegacioni nga Mali i Zi u përfaqësua nga presidenti i Sindikatës së Policisë, Dusan Vratnica dhe zv.presidenti, Dragoljub Tedic. Ndërsa delegacioni i Kosovës u përfaqësua nga kryetarja e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi, sekretari i përgjithshëm organizativ, Fadil Azemi, nënkryetari i sindikatës dhe sekretari për financat. Gjatë vizitës u diskutua për problemet e përbashkëta tekniko-organizative të përmirësimit të drejtimit e të rritjes së nivelit profesional në fushën sindikale, të bashkëpunimit të ndërsjellët e ndihmës reciproke në fusha të ndryshme dhe për përmirësimin e kushteve social-ekonomike të punonjësve të policisë, duke siguruar ndihmë e mbështetje reciproke të ndërsjellët. Gjithashtu u hodh ideja për nënshkrimin e një memorandumi për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të mëtejshëm të këtyre sindikatave. Kryetari i sindikatës së Malit të Zi mbështeti Sindikatën e Policisë Shqiptare për aderimin e saj në Sindikatën Europiane të Policisë (CESP), duke organizuar një takim gjatë kësaj jave në Mal të Zi. Ndërsa nga ana e kryetares së Sindikatës së Policisë së Kosovës, iu sigurua kryetarit të Sindikatës së Policisë Shqiptare mbështetja e saj për anëtarësim në EUROCOP. Me propozim të sindikatës së Malit të Zi, midis palëve u ra dakord që në muajin janar 2010 të zhvillohet një seminar i përbashkët, ku do të trajtohen problemet më themelore të sindikalizmit në vendet tona. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, u realizua edhe një takim në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mes përfaqësuesve të tre sindikatave dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i misionit PAMECA, z. Jon Porter. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi përvojat e dy sindikatave homologe të Malit të Zi dhe Kosovës, me qëllim për të ndihmuar në konsolidimin e Sindikatës së Policisë Shqiptare. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi mbështetjen e tij ndaj Sindikatës së Policisë për përmirësimin e kushteve si në aspektin organizativ ashtu edhe të realizimit të të gjitha pikave të kontratës kolektive, duke gjetur mirëkuptimin midis palëve. Ndërsa Porter vlerësoi arritjet e Sindikatës së Policisë Shqiptare, duke inkurajuar punën në vazhdimësi të saj për përfaqësimin me dinjitet për mbrojtjen e interesave të punonjësve të policisë dhe siguroi asistencën e këtij misioni për të përkrahur e zgjidhur në partneritet me drejtuesit e policisë shqiptare problemet që hasen gjatë aktivitetit të sindikatës.
Ble. Gi.
Ble. Gi.