E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy autokolona italiane kalojnë tranzit Shqipërisë

Qeveria shqiptare miratoi sot lejimin e kalimit tranzit të 2 autokolonave ushtarake italiane, përmes territorit të vendit tone. Autokolonat do të shkelin tokën shqiptare në datat 6 dhe 11 dhjetor të këtij viti nen masa te forta sigurie 

TIRANE-Qeveria shqiptare miratoi sot lejimin e kalimit tranzit të dy autokolonave ushtarake italiane, përmes territorit të Republikës së Shqipërisë. Vendimi u miratua sot në mesditë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në selinë e kryeministrisë.
Ky vendim bazohet në nenin 100 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjit nr.9363, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit.
Bazuar në nenet e këtij ligji, pritet që autokolonat ushtarake italiane të kalojnë në itinerarin Qafë-Thanë pika e hyrjes dhe deri tek Porti i Durrësit, që do të jetë edhe pia e daljes. Autokolonat do të shkelin tokën shqiptare në datat 6 dhe 11 dhjetor të këtij viti. Një autokolonë do të jetë e përbërë nga 4 (katër) automjete dhe 8 (tetë) trupa.
Për këtë arsye janë marrë edhe masa të forta sigurie. Autokolonat ushtarake italiane, gjatë hyrjes, lëvizjes dhe daljes në nga territori i Republikës së Shqipërisë, të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Njoftimi për shtyp i qeverisë shqiptare shton se procedurat për hyrjen, qëndrimin dhe daljen e këtyre trupave në Republikën e Shqipërisë janë parashikuar në marrëveshjen, ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›