E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dy botët”, muzikore takohen në Shqipëri

 

Përgjatë tri ditëve publiku i Gjirokastrës dhe ai kryeqytetas patën mundësi të shijonin edicionin e tretë të “Takimet Muzikore të dy Botëve”, një aktivitet i organizuar nga shoqata franko-shqiptare “Argjiro” me mbështetjen e Vodafone Albania, si sponsor i përgjithshëm. Çdo vit ky festival sjell në Shqipëri performanca të artistëve shqiptarë e të huaj. Këtë herë do të ofronte ritme jazz dhe muzikë qytetare nën interpretimin e Alma Bektashit e shoqëruar nga Julia Amada Kruger, duo për piano, si dhe koncerte operistike dhe ato të muzikës polifonike, duke përmendur kuartetin rus “Atrium”, korin polifonik të konservatorit të Janinës, kuartetin e Evropës Juglindore “Celissimo” dhe koncertin e grupit polifonik shqiptar, “Ergjeria”. Ngjarje kulturore të kësaj natyre i japin edhe më shumë prestigj artit dhe kulturës së vendit tonë duke e përballur atë me vende të tjera, çka shërben si shkëmbim kulturor, që jep edhe kontribut në pasurimin shpirtëror të artdashësve shqiptarë. Një aktivitet i ngjyrave ndërkombëtare, i cili do të gjente mbështetjen e kompanisë Vodafone Albania, këtë herë do të kontribuonte në rritjen e dialogut mes Shqipërisë, Kosovës, vendeve të Evropës dhe Mesdheut, çka është në fakt edhe një nga objektivat kryesore të shoqatës Argjiro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›