E Diel, 1 Nëntor 2026

E liron Gjykata e Lartë, i burgosuri mbetet 12 ditë në qeli

 

E liron Gjykata e Lartë, Prokuroria e harron në qeli. I burgosuri Luftim Kidja nga Kavaja ka nisur dje grevën e urisë në burgun e Fushë-Krujës për shkak të mbajtjes 12 ditë në qeli, pasi Gjykata e Lartë ka firmosur lirimin e tij. Sipas burimeve nga procesi, Kidja është arrestuar disa vjet më parë si i dyshuar për një vrasje në fund të vitit 1997 në qytetin e tij. Kidja rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Kavajës me 16 vjet burg, ndërsa Gjykata e Lartë pasi shqyrtoi çështjen e tij vendosi ta lironte nga qelia, pasi dy Shkallët e Para nuk kishin vlerësuar si duhet provat. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë pohuan dje se vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë për Kidjen ishte shpallur më datë 27 maj dhe menjëherë më pas një kopje e tij i ishte dërguar Prokurorisë. Sipas gjykatës, tashmë është kompetencë e Prokurorisë për të ekzekutuar ndryshimin e vendimit. Burime nga burgjet pohojnë se dje, i burgosuri nga Kavaja ka nisur grevën e urisë duke refuzuar ushqimet. Ndërkohë familjarë të tij janë interesuar nëpër institucione të ndryshme të drejtësisë si dhe Drejtorinë e Burgjeve, ku askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për mbajtjen e paligjshme të të riut në qeli. Po kështu, askush prej institucioneve nuk ka bërë të ditur nëse Kidja akuzohet për ndonjë vepër tjetër penale, çka përligj mbajtjen e tij ende në burgun e Fushë-Krujës.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›